Luan Rama: Boll me “Policinë e Çunave”, s’ka qënë kurrë më e inkriminuar se sot

0
577

Sipas zëvendëskryetarit të LSI-Luan Rama, procesi i vettingut të policisë, duhej të ishte procesi i pastrimit të policisë nga disa drejtues të papërgjegjshëm që kanë qenë apo janë nën pushtetin dhe bëjnë lojën e strukturave kriminale në vend.

“Mjafton të shohësh relacionin që shoqëron projektligjin, për të kuptuar arsyet se pse jemi këtu. Mjafton të shohësh relacionin edhe nuk lind nevoja për të bërë diskutime të mëtejshme. Sepse edhe në relacion konfirmohet qartë që jemi përpara një situate të inkriminuar, të korruptuar dhe ku shfaqet kultura, që në fakt duhet thënë antikultura e pandëshkueshmërisë. Në sallë ka dëshmitarë okularë apo njerëz që kanë punuar në strukturën e policisë. Nuk ka qenë kjo, e them me përgjegjësi të plotë prej ‘97-’98 dhe sot që jemi në 2018, nuk ka qenë kjo struktura e policisë së shtetit. Asnjëherë nuk ka qenë më e kriminalizuar kupola drejtuese nga çka rezultuar sot”,- tha ai.

Rama shtoi se ka ardhur koha të krijohet policia e ligjit dhe t’i jepet fund “policisë së çunave”.

“Ndaj opozita është shprehur qartë pro vetingut, pro një ligji që e bën Vetingun institucion ligjor dhe jo instrument politik në qëndrimin e të gjithë klasës politike ndaj këtij procesi. Më vjen keq që të konfirmoj se konstruktivitetin tonë nuk e kemi gjetur me të njëjtën vlerë partneriteti në Komisionin e Sigurisë, ndaj shpresoj që seanca këtu të shfaqë fleksibilitet dhe vullnet pozitiv për të reflektuar ato propozime që ne kemi bërë me shumë seriozitet dhe me profesionalizëm, për të qenë pjesë e një procesi që të krijojë Policinë e Ligjit në dallim nga “Policia e Çunave”, Policinë e Shtetit në dallim nga kupola e një pjese drejtuesish të policisë në shërbim të krimit. Policia është e imja, është e jona, është e të gjithë qytetarëve të këtij vendi, dhe ne duhet ta mbështesim atë, duke e ndarë përfundimisht policinë nga politika, që e ftoi policinë të vidhte vota pasi të hidhte kapelen me qëllim që krimi nga strukturat kriminale të shkonte në strukturat e qeverisjes! Vetëm shprehja e vullnetit nuk mjafton. Duhet bashkëpunim dhe ndërveprim konstruktiv, partneritet dhe seriozitet me qëllim që të ruajmë integritetin dhe paanshmërinë e procesit”,- shtoi ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here