Sa herë është vrarë Luigj Gurakuqi?

0
1057

Jo shumë kohë më parë, kur pata fatin të njihja Mirjam Kamsin, vajzën e Gjonit dhe motrën e Willit, shkrova për tri prej figurave më të ndritura, poliedrikët shkodranë të djeshëm e të sotshëm: Gjon, Kolë e Willi Kamsi. Ishte vërtet kënaqësi për mua të njihja nga aq pranë historinë e tyre.

Mes gjithë asaj çka Miriami më tha, vend të veçantë në mendjen time zuri rrëfimi i të atit, transmetuar në mua nëpërmjet gojës së saj, rreth Luigj Gurakuqit. Gjon Kamsi e kishte pasur aq mik, sa në shtëpinë e tij akoma edhe sot gjendej dorëshkruar një fletore me poezi nga Gurakuqi.

Ndoshta me përvujtninë e moshës, ose për diç tjetër, Mirjami (Mila siç e njohin të gjithë), nuk më tha diçka të rëndësishme: Fatin e Luigjit pas vdekjes së tij!

Se si Luigji u vra, e dimë të gjithë. Me armë! Se ku, sërish e dimë të gjithë. Në Bari. Prej kujt, sigurisht e dimë të gjithë (ndonëse ndoca prej nesh nuk duan ta pranojnë). Nga Ahmet Zogu. Se pse, mbetet enigmë. Ahmeti kishte shumë arsye përse ta vriste. Humbja mbetet e madhe. Shqipëria pa Luigjin nuk ishte e njëjtë.

Kam pasur fatin që fëmijërinë ta kaloj aty ku po shkruaj sot këtë shkrim, në lagjen e vjetër të Shkodrës, G’juhadol. E sikur ta kisha zgjedhur vetë, në gjithë rrugicat e kësaj lagjeje (Rrugica e Burgut, Rrugica e Murgjeshave, Rrugica e Gurakuqëve e ajo e Gurazezëve), ishte pikërisht e Gurakuqëve ajo ku fëmijëria ime rrodhi më shpejt sesa unë do të doja.

Në atë rrugicë, pak a shumë në gjysmën e saj, me një stoicitet të sfilitur nga sfidat e të ashtuquajturit “modernizëm”, i cili, pa epitetin “post – demokratik”, nuk është i plotë, shtëpia e Luigj Gurakuqit me krenari mburrej. Falë saj, rrugica mbante atë emër.

Për ju që nuk jeni nga Shkodra, duhet ditur se ajo rrugicë ka një rëndësi të veçantë: Është fiks mesi i Shkodrës. Nga aty shkon te Dugajtë e Reja (Dyqanet e Reja) duke u kthyer majtas dhe te Vorret e Rrmajit duke u kthyer djathtas e ecur edhe pak.

Im atë, i rritur në atë rrugicë, pra të Gurakuqëve, më tregon shpesh se si, kur ishte fëmijë, shkonte në oborrin e shtëpisë së Luigj Gurakuqit dhe luante. Ndërsa nëna, nga një prej lagjeve të tjera, larg asaj të G’juhadolit, më thotë se si pjesë e planit mësimor ishte edhe të vizituarit e muzeut të Luigjit.

Ndërsa sot? Sot kur kujtojmë vrasjen e Luigjit, a e dini çfarë më vjen në mendje? Sa herë është vrarë Luigji? Një? Gënjeshtër! Me bisht! Dhe me veshë! Veshë shumë të gjatë!

Dy? Sërish gënjeshtër. Vërtet ka një herë të dytë, atë të modernizmit post – demokratik, kur u vra shtëpia dhe kujtimi i tij, por ka edhe një herë të tretë, për të cilën kam dëshirë të tregoj sot, në përvjetorin e vrasjes së parë të tij, pra Luigjit.

Nëse ndonjëherë keni pasur fatin të vizitoni Shkodrën, ose nëse jeni aq fatlumë sa të jetoni në Shkodër, e dini se në qendër të qytetit është busti i Luigj Gurakuqit, me njërën dorë në xhep rrethuar nga flamurë të shumtë. Nëse e keni vizituar Shkodrën më herët, keni parë besoj rreth Luigjit flamurët e gjithë Evropës. Nëse e keni vizituar tash s’voni, keni parë vetëm flamurë shqiptarë. Pse?

Nuk e di, ama, ajo çka di është se Luigj Gurakuqi nuk ngriti një flamur të vetmuar mes gjithë Evropës, por një flamur që krenar do të valëvitej krahas gjithë të tjerëve. Prandaj, vendosja rreth Luigjit vetëm e flamurit kombëtar është një veprim, në optikën e çdo kujt që e njeh sadopak figurën e Lugjit, i gabuar.

Gjithsesi, kjo nuk ishte vrasja e tij e tretë. Në të vërtetë, ishte vetëm plagosja e parë. Vrasja e vërtetë erdhi atëherë kur të mbramet relikte të Gurakuqit, që u sollën nga Gjon Kamsi në Shqipëri, iu rikthyen “shtetit”.

Duhet të theksoj diçka: Vrasja e dytë, pra privatizimi i shtëpisë, u krye me një breshëri të shtënash, pra jo vetëm shtëpia u privatizua, por edhe gjithçka që ajo kishte brenda!

Ju mund të thoni përse ishte vrasje ajo e kthimit të relikteve. Jua them unë! Reliktet u kthyen jo si kishin ardhur, por të pjesshme. Luigjit iu mohua plotmënia e kujtimit.

Dhe kështu po ndodh edhe jashtë relikteve. I pjesshëm është kujtimi i Luigjit. Madje, i gjymtuar. Pllaka e nderimit pranë statujës së tij është e gjymtuar. Podi në të cilin është ngritur statuja është i gjymtuar. Edhe kurorat me lule që vendosen para këmbëve të tij ditën e Pavarësisë (pse nuk vendosen edhe sot që është datëvdekja; mos ndoshta Bashkia nuk e di?!) janë të gjymtuara. Edhe qentë që pushojnë aty pranë, si për ironi, janë të gjymtuar, ose të çalë.

Jam i bindur se Luigj Gurakuqi do të vritet sërish. Sepse ai ishte vërtet “Gurë i Kuq” mes gjithë gurëve të zinj të Shqipërisë së sapodalë nga pushtimi!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here