Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, u ka drejtuar një mesazh grave shqiptare sot, ditën e 8 Marsit:
“Gëzuar 8 marsin nëna, gra, motra dhe vajza të dashura! Qofshi të lumtura e të gëzuara çdo dite të vitit, sepse e meritoni, – shkruan Kryemadhi në rrjetet sociale. – Festoni sot si të doni e mundni, askush nuk mund t’ju gjykojë nëse keni vendosur të shkoni për drekë a darkë, të këndoni a vallëzoni, apo dhe të protestoni.
Sepse është e drejta juaj të zgjidhni , jo vetëm në 8 mars, por për çdo ditë të vitit çfarë është më e mira për ju dhe familjet tuaja.
Mos u bëni fasadë e politikanëve në një ditë si kjo, por revoltohuni përballë tyre sepse të gjithë duhet të bëjnë më shumë për ju.
Mos u trishtoni nëse bashkëshortët kanë harruar t’ju urojnë sepse janë ata që kanë më shumë nevojë për ju dhe qortimet ndoshta do ti bëjnë të kujtojnë se jeni shtylla e familjes.
Gëzojini urimet e fëmijëve, sepse ata do të bëhen më të mirë falë kujdesit tuaj! Qoftë dita e sotme festë dhe protestë për një jetë më të qetë, të sigurt dhe të lumtur për ju!
Gëzuar dhe ti mami im sot, sado të mundem nuk të falenderoj dot për kujdesin dhe mirësinë që më ke falur, për sakrificat që ende vazhdon të bësh për ne, fëmijët e tu.
8 marsi më kujton që këtë falenderim duhet ta bëj çdo ditë për ty!