3 operatorë turistikë ndërkombëtarë kanë shprehur interes për të investuar në Shqipëri. Për Ministrin Klosi, falë paketës fiskale dhe lehtësirave për hotelet dhe resortet me 4 dhe 5 yje, Shqipëria do të njohë hov në xhvillimin e turizmit. Stenda e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar në Berlin është vizituar edhe nga Sekretari i Parlamenti Gjerman. |
Lajme të mira për turizmin shqiptar vijnë nga Berlini. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi nga Panairi Ndërkombëtar i Turizmit tha se 3 operatorë kanë shprehur interes për investime në hotele dhe resorte me 4 dhe 5 yje.
Sipas Klosit paketa fiskale dhe lehtësirat që ofrohen për këto hotele dhe për agroturizmin do të nxisin zhvillimin e turizmit.
Klosi: Sot në panair na vizituan Tui Group, Tomas Chook, Apollo Group, duke dëshmuar se kërkesat për turistë në Shqipëri janë trefish apo katërfish i kapacitetit që ne ofrojmë.
Stenda e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin është vizituar nga Sekretari i Përgjithshëm Parlamentar i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Gjermanisë, z Hans-Joachim Fuchtel. Gjatë takimit diskutuan për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe për mbrojtjen e mjedisit në vendin tonë.
Klosi: Patëm një shkëmbim shumë të qartë idesh për të shtuar ndihmat gjermane nëpërmjet kooperacionit gjerman për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri, por dhe për mbrojtjen e mjedisit në vendin tonë.
Stenda e vendit tonë ka zgjuar kureshtjen e vizitorëve të shumtë. Nga data 7-11 Mars Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, së bashku me stafin Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe dhjetra Operatorë Turistikë Shqiptarë marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Berlinin.