Tuesday, September 18, 2018

Bushati: Reforma në drejtësi, ndikim edhe në biznes

129
0

Reforma në drejtësi do të japë ndikimin edhe në biznes dhe në tërheqjen e investimeve të huaja. Kështu deklaroi Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati gjatë Forumit Ekonomik Frankofon, ku merrnin pjesë 50 sipërmarrës ekonomikë të rajonit të Lionit, të interesuar për zhvillimin e shkëmbimeve ekonomike me ndërmarrje shqiptare dhe të rajonit të Ballkanit. Bushati i ftoi sipërmarrësit Francës të investojnë në Shqipëri.

Bushati: Ne gjatë tre viteve të fundit kemi hyrë në një rrugë të vështirë në lidhje me reformimin e institucioneve të shtetit të së drejtës sepse jemi koshientë për faktin që cdo biznes që paraqet një interes për të qenë prezent në Shqipëri, është i interesuar për të kuptuar jo vetëm nivelin e përputhshmërisë së normave tona, ligjeve tona me ato të BE, por mbi të gjitha kërkon garanci se këto norma, kontrata që firmosen do të duhet të interpretohen në mënyrë të drejtë, të ndershme dhe në përputhje me praktikën europiane me gjykatat shqiptare. Edhe në këtë drejtim ne kemi patur mbështetje nga ana e institucioneve franceze, cka mendojmë se është një garanci shtesë për investitorët.

E pranishme ne forum zv/ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Albana Shkurta,  tha se qeveria është duke punuar për krijimin e zonave të lira ekonomike, hap që do të pasohet me aplikimin e lehtësive fiskale për investitorët e huaj.

Shkurta: Jemi aktualisht duke punuar për programin e zonave të tjera ekonomike dhe në momentin e krijimit të këtyre zonave, do të jetë e mundur dhe ofrimi i lehtësirave të tjera fiskale për bizneset në kuptimin e taksave apo të lehtësirave të tjera.

Forumi u përshëndet edhe nga ambasadorja e Francës në Shqipëri, e cila tha se ky aktivitet do të pasohet edhe nga të tjerë, me qëllim rritjen e investimeve franceze në vendin tonë.

LEAVE A REPLY