“Të fundit në rajon”, deputetja e LSI: Mungesa e investimeve të huaja tregon mungesën e besimit të BE

0
664

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha shprehet se Shqipëria është e fundit në rajon përsa u përket investimeve të huaja.

Në një postim të bërë në Facebook, deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim shprehet se mungesa e besimit të BE te Shqipëria ka bërë që investitorët e huaj të mos e shohin Shqipërinë variant për investime.

“Shqiptarët nuk duan të dëgjojnë burgun si të vetmen alternativë për suksesin e reformave dhe të ardhmen e tyre. Ata duan perspektivën evropiane të Shqipërisë nëpërmjet forcimit të ekonomisë, nëpërmjet hapjeve të vendeve të reja të punës, nëpërmjet reformave shtetndërtuese që rrisin standartin e jetës të çdo qytetari shqiptar,” shkruan ajo.

Postimi i plotë 

Raporti i fundit i BERZH për investimet e huaja është realisht një kambanë alarmi për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria. Raporti deklaron se Shqipëria është vendi me stokun më të ulët të investimeve të huaja për frymë popullsie në Ballkan, me diferencë të theksuar me vendet e tjera. Shqipëria i ka investimet për frymë vetëm pak më shumë se 1 mijë euro, kur vendi i parafundit, Bosnja, e ka këtë tregues gati 2 mijë euro. Dhe për të mos shkuar më tej për t’u krahasuar me Serbinë 3 mijë euro apo Malin e Zi 6000 mijë euro.

Situata ekonomike sa vjen dhe rëndohet më shumë dhe ajo çka duhet të na shqetësojë është se qeveria vazhdon të propagandojë të kundërtën, duke refuzuar të shikoj realitetin dhe rrënimin që i bëhet çdo ditë tryezave të familjeve shqiptare.

Mijëra biznese po mbyllen, mijëra qytetarë të papunë. Edhe të vetmet investimet të huaja që kemi që para vitit 2013, TAPI dhe Devolli, po shkojnë drejt fundit. Është tronditëse të analizosh shifrat e shqiptarëve që po largohen nga vendi, ku kryesisht dominon rinia dhe shtresa e mesme!

Mungesa e investimeve të huaja tregon qartë edhe mungesën e besimit të vendeve të Bashkimit Evropian drejt Shqipërisë, por në të njëjtën kohë tregon edhe mungesën e suksesit të reformës në drejtësi, e cila lidhet drejtë për së drejti me investimet në vend. Shqiptarët nuk duan të dëgjojnë burgun si të vetmen alternativë për suksesin e reformave dhe të ardhmen e tyre. Ata duan perspektivën evropiane të Shqipërisë nëpërmjet forcimit të ekonomisë, nëpërmjet hapjeve të vendeve të reja të punës, nëpërmjet reformave shtetndërtuese që rrisin standartin e jetës të çdo qytetari shqiptar!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here