Të gjithë shqiptarët sot festojnë Ditën e Verës, një feste e lashtë pagane. Qyteti tradicional që feston këtë ditë është Elbasan, por vitet e fundit vëmendjen ja ka marrë Tirana, ku zhvillohen aktivitete të shumta.
Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Gatimi tradicional i kësaj feste janë ballokumet, ndërsa në disa zona ndizen edhe zjarre
Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.
Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.