Rritet mosha e martesës, shqiptarët po martohen edhe mbi 50 vjeç…

0
893

Shqiptarët nuk po martohen më në moshë të re, siç ndodhte në vitet 90 pas rënies së komunizmit apo edhe në fillim të viteve 2000. Shifrat e fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë se mosha e martesës në vendin tonë është rritur ndërsa është ulur numri i martesave në moshë të re. Por ajo çfarë bie në sy është rritja e ndjeshme e martesave mbi 50 vjeç veçanërisht për gratë, një prirje që në vitet në 90, apo fillim viteve 200 ishte thuajse mospërfillëse.

Kështu nëse në vitet 90, kishte vetëm 40 gra që martoheshin mbi këtë moshë, 235 gra mbi 50 vjeç janë celebruar vetëm gjatë vitit që kaloi, ose 175 martesa më shumë në krahasim me 10 vite më parë (2007). Grafiku bazuar në të dhënat e INSTAT e tregon fare qartë se numri i martesave të grave mbi 50 vjeç ka nisur kurbën e rritjes veçanërisht pas vitit 2009, kur për herë të parë arriti kjo shifër arriti në 100 martesa.

Të dhënat tregojnë një rritje edhe për numrin e burrave që martohen mbi 50 vjeç. Kështu nëse në vitet 90 kishte mesatarisht 150 burra që martoheshin mbi këtë moshë, 485 burra mbi 50 vjeç janë martuar gjatë 2017-ës, ose 203 martesa më shumë në krahasim me një dekadë më parë (2007). Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë një ulje edhe të martesave të hershme.

Kështu nëse përgjatë 5 viteve të fundit ka pasur mbi 5 mijë vajza që martoheshin pa mbushur 19 vjeç, në 2017-ën shifra është ulur në mënyrë të ndjeshme në 3827 martesa. Gjithsesi hendeku mes gjinive vijon të jetë i madh, duke pasur parasysh se vetëm 120 djem janë martuar pa mbushur 19 vjeç, vitin e kaluar. Gjithsesi, shifrat tregojnë një tendencë të qartë, ku mosha mesatare e martesës për shqiptarët ka ndryshuar me rreth 3-4 vjet në këto 27 vite demokraci.

Kështu, nëse në vitin 2005 mosha mesatare e martesës për femrat ishte 23 dhe për djemtë 28 vjeç, në 2017 mosha mesatare ka arritur në 26,5 për femrat dhe 31,5 për meshkujt. Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë edhe një rritje fare të lehtë të numrit të martesave me 79 martesa më shumë gjatë 2017-ës në krahasim me vitin paraardhës. Edhe pse shifër shumë e vogël, viti i kaluar përbën një ndryshim të rëndësishëm nëse kemi parasysh që në 2016-ën pati 2435 martesa më pak se në 2015-ën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here