Presidenti Ilir Meta i ka dhënë autorizimin ministrit për Evropë dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati për negociatat me Greqinë për ndarjen e hapësirës detare midis dy vendeve.
Me anë të një njoftimi, Presidenca thekson se i jepet plotfuqishmëria grupit negociator për negocimin e “Projekt marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”.
Presidenti Ilir Meta i kërkon Ministrisë së Jashtme të përmbushin përgjegjësitë e tyre sipas Kushtetutës.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit“, thuhet më tej.
Kreu i Shtetit kërkoi të dhëna konkrete mbi takimet dypalëshe por dhe një platformë të bisedimeve që do të zhvillohen pas marrjes së plotfuqishmërisë.
Po ashtu ndër të tjera kërkohen skenarë dhe strategjitë që do të ndiqen prej palës shqiptare, por kjo është përgjigja e dytë e Metës mbi këtë çështje.