Ministrja e Drejtësisë ftese Shoqërisë Civile në luftën kundër korrupsionit

0
628

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj i ka drejtuar një ftesë të drejtëpërdrejtë Shoqërisë Civile dhe në mënyrë të veçantë publikut që të bashkëpunojnë me qeverinë në luftën kundër korrupsionit.

“Pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e publikut, është një nga elementët kyç, që ndikon në efikasitetin dhe suksesin e kësaj sfide jetike për shtetin”, ka thënë ministrja gjatë Forumit të parë konsultativ antikorrupsion që është zhvilluar sot paradite.

Në këtë forum, të organizuar nga Ministrja e Drejtësisë, e cila është njëkohësisht edhe Koordinatore Kombëtare Antikorrupsion merrnin pjesë përfaqësues të ministrive të ndryshme, institucioneve të pavarura kushtetuese, shoqërisë civile, medias dhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare.

“Sfida jonë është jo vetëm të ulim korrupsionin, por edhe të ulim perceptimin e publikut ndaj fenomenit korrupsionit”, ka theksuar në fjalën e saj Gjonaj, e cila ka siguruar për angazhimin e saj të plotë në bashkëpunimin me të gjitha aktorët e fushës për tja arritur këtij qëllimi.

Duke folur për angazhimin e qeverisw në luftën kundër korrupsionit, ministrja ka theksuar se do të shtohen masat, për të forcuar sistemin, për të rritur kontrollin mbi administratën publike dhe për të evidentuar e dërguar para drejtësisë të gjithë ata që do të shfrytëzojnë detyrën për të bërë korrupsion.

“Jemi të vendosur që lufta ndaj korrupsionit të jetë një nga kryefjalët e këtij mandati, kjo në shërbim dhe vetëm në shërbim të qytetarëve, por edhe në shërbim të suksesit të çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, ka thënë Gjonaj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here