Deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, vajza e pishtarit të demokracisë, Azem Hajdari publikon sot një fjalim të atit të saj që i përket 22 marsit të vitit 1995.
Fjalimi lidhet me 22 marsin, fitoren e PD-së në zgjedhjet e para pluraliste.
22 Mars-një katarakt në rrjedhën e Historisë
Nëse Historinë do ta përfytytonim si një lumë që rrjedh-një përngjasje kjo e bërë nga Herakliti e deri në ditët e sotme disa data të saj të na shfaqen si katarakte të rrembyer, gjithë vrull e energji, gjithë potencë e ushëtimë. Pa dashur të jemi retorike, se mjaft na kanë lodhur retorikët e fjalëve të zhurshme, pompoze e të pasinqerta,
22 Marsi i tre vitete të shkuara, padyshim është një katarakt i Historisë së shqiptarëve, apo e thënë sipas Çabejt, një ditë pikënyje në kapërcyellin e demokracisë shqiptare. Një ditë që me mençurine e vet popullit shqiptar diti të shmangë gjakderdhjen që joshnin fantazmat e së shkuarës, nëpër mitingje histerikësh, me britmat atavizma, sa groteske, aq dhe tragjike.
22 Marsi e ndau përfundimisht fatin e Shqipërise nga diktatura bastarde sllavo-komuniste, nga mesjetarët donkishotist, që duke e izoluar Shqipërinë, kujtonin se e bënin qendër të botës, që duke e varfëruar në mënyrën më të mjeruar Shqipërinë, kujtonin se e bënin më të pasurën dhe me të lakmuarën e botës, që duke e poshtëruar Shqipërinë, kujtonin se e rritnin dinjitetin (e padinjitet) të vetes së tyre…
Më 22 Mars idealet demokratike të shqiptarëve që vinin nga lashtësia e këtij populli, që vinin nga mendjet e ndritura të Bogdanit, të Fishtës, të Naimit, të Hasan Prishtinës, të De Radës, të Konicës, nga martirët e burgjeve dhe nga të kryqëzuarit e gjallë, nga vitaliteti i rinisë shqiptare, këto ideale atë ditë u sendërtuan në një shtet demokratik. Dhe e gjitha kjo, jo me gjakderdhjen e predikuara nga deorigjenët marksistë, por me magjinë e votës së lirë. Shteti i parë demokratik i shqiptarëve ishte në një kontrast aq të madh me diktaturën e sapo flakur, së bashku me monumentin grandomadh të Enver Hoxhës. Historianët e ardhshëm mund të flasin për një republikë të dytë demokratike, pas asaj të Fan Nolit.
Ideologët serbë, autorët famëkeq të elaboratëve ani-shqiptare (Vasa Çubriloviç, Stefan Moljeviç, Nikola Stojnaviç, Ivo Andriç) kanë predikuar me një kasandra ogurzezë, se shqiptarët janë një fatalitet historik, kanë një mallkim, mallkimin se nuk dinë të krijojnë një shtet të tyre.
22 Marsi më së fundi provoi të kundërtën. Shqiptarët dinë të krijojnë shtetin e tyre sipas formatit evropian-me ligjet demokratike, evropiane, me respektimin e të drejtave njerzore, me te drejtën e besimit, me të drejtën e insitutucioneve fetare, me të drejtën e shtypit të lirë e të fjalës së lire.
22 Marsi u ktheu shqiptarëve besimin, besimin tek Zoti, që do të thotë besimin tek Njeriu, që do thotë besimin tek vetvetja. Dhe pa një besim tek personaliteti njerëzor nuk ka as Histori Moderne, nuk as liri dhe pavarësi të kombit.
22 Marsi e ktheu Shqipërinë në komunitetin e popujve më të zhvilluar. Aventura komuniste kishte bërë që miqtë tanë më të mirë të Shqipërisë të konsideroheshin Fidel Kastro, Sadam Hysein dhe princi Sihanouk, ca internacionalo-terroristë, ca luftëtarë kafenesh, ca horra hipokritë që vini të ngazëlleheshin duke parë se sa të varfër janë shqiptarët.
Janë vetëm 3 vjet shtet demokratik. Ligjet ekonomike të tregut të lirë e të ekonomisë së lirë kanë provuar vitalitetin e shqiptarëve, vitalitetin e vetveprimiit, vitalitetin imagjinativ, kurajoz, vitalitetin që shqiptarët të jenë të barabartë dhe të zhvilluar. Asnjëherë tjetër shteti shqiptar nuk ka qenë më i pranishëm në komunitetin evropian e atë botëror për të artikuluar të drejtat e veta.
22 Marsi vetëm në 3 vjet i dha shqiptarëve një dimension kombëtar që do ta kishin endërruar rilindasit. Të pranishëm në mbledhjet e Këshillit të Evropës, të pranishëm në Partneritetin për Paqe, shqiptarët sot janë elementi më stabilizues në Ballkan, në këtë rajon që shpesh herë konsiderohet dhe nga politologë seriozë si një rajon i divorcuar përfundimisht me paqen dhe harmoninë.
22 Marsi solli në Shqipëri për herë të parë në histori bekimin e Papës së Romës, solli Presidentin Gjerman Roman Hercog, Presidentin Italian Luigji Skalfaro, Presidentin e Kroacisë Tuxhman, 2 ish presidentët e shquar të politikës së SHBA-së, Karter dhe Bush, Sekretarin e NATOS Verner, Kryeministrin e Turqisë Demirel, Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, të Britanisë, Greqisë e dhjetra personalitete të shquara politike, të cilët janë shprehur me respekt për popullin shqiptar, shtetin shqiptar dhe për Presidentin Berisha, të cilin e kanë cilësuar si reformatorin e demokracisë. Aventura komuniste, vetëm 2 vjet të shkuara deklaronte me një kokëfortësi masohiste se miq më të mirë të Shqipërise janë armiq natyralë të saj.
Çështja kombëtare e shqiptarëve sot nuk artikulohet me stile pompoze bolshevike, duke deklaruar se jemi gati ‘të hamë bar’, vetëm si e si që të mos flasim për Kosovën e Çamërinë. Demokracia shqiptare sot shpreh aspiratat e fqinjësisë së mirë, po aq sa aspiratat e reciprocitetit, merr në mbrojtje shqiptarët kudo që të jenë po aq sa dhe duke mbrojtur të drejtat e minoriteteve brenda Shqipërisë.
22 Marsi është një diotë e shqiptarëve- e atyre shqiptarëve që e duan sinqerisht atdheun e tyre, e atyre shqiptarëve që nuk kanë të brendashkruar brënda Shqipërisë një pseudoatdhe partiak, e egoistik, karrierist. Është një ditë e të gjithë atyre shqiptarëve që duan një Shqipëri pa handikape egoizmash a jehonash të frikshme të së kaluarës.
Fjalët e Azem Hajdarit, 22 Mars 1995.