Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka pranuar se pa mbështetjen e zyrtarëe të shtetit është e vështirë që të kryehen veprimtari kriminale që lidhen me trafikun e drogës.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ai tha se kjo është edhe arsyeja që janë bërë edhe lëvizje në radhët e policisë së shtetit.
Zëri i Amerikës: Po ua bëj pyetjen më në përgjithësi. Jo për këtë rast konkret, por në përgjithësi, në raste të tjera që kanë të bëjnë me drogën në Shqipëri, kjo përhapje kaq e madhe e krimit të organizuar, a është e mundur, a vihen re lidhje midis kësaj bote kriminale dhe shtetit?
Fatmir Xhafaj: Nuk mund të mos e pranoj një gjë të tillë, sepse pa mbështetjen, ose pa blerë së paku heshtjen e zyrtarëve të shtetit, është e vështirë për të kryer veprimtari të kësaj natyre dhe sidomos këtu bëhet fjalë për zyrtarë që janë në agjencitë ligjzbatuese dhe që mund ta pengojnë, apo mund t’i favorizojnë veprimtari të tilla kriminale.
Kjo është arsyeja që në vijimësi dhe, në mënyrë të veçantë, këtë vitin e fundit ne kemi bërë disa ndërhyrje të forta në radhët e strukturave drejtuese të policisë së shtetit, duke larguar prej tyre disa prej drejtuesve të lartë të policisë së shtetit, për të cilët ne mendonim që më së paku, kishin dijeni dhe me heshtjen e tyre dhe me mosveprimin e tyre, kishin favorizuar veprimtarinë kriminale në kultivimin e kanabisit gjatë vitit 2016.