Në BE para Serbisë? Gjosha: Rama të sfidojë krimin, show me 5 kushtet

0
932

Në 18 prill, Komisioni Europian do të prezantojë raportin e radhës që prek Shqipërinë dhe dëshirën për të hapur negociatat e anëtarësimit, aty ku pritet të flitet me një gjuhë të një rekomandimi pozitiv. Për ish-ministrin e Integrimit, Klajda Gjosha, me vlerë është nëse ky rekomandin do të jetë pa kushte. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputetja e LSI-së, i drejtohet kreut të qeverisë me thirrjen që të tregojë zotësinë duke sfiduar krimin e organizuar, korrupsionin, dhe ti japë një shtysë ekonomisë shqiptare që qytetarët tonë mos largohen në masë nga vendi. “Lidhja e politikës me krimin që nuk është diçka e thjeshtë për t’u adresuar, aq më tepër kur besimi ndaj kësaj qeverie për këtë çështje është thuajse zero”. LSI-ja dhe PD-ja kanë treguar qartë që janë një front i fortë kundër qeverisë, thotë deputetja e LSI-së, ku për zgjedhjet lokale të 2019 shton se: “Marrëveshjet në përgjithësi janë dytësore”.

Në prill, Komisioni Europian do të flasë nëse Shqipëria do të marrë hapjen e negociatave për anëtarësimin. Çfarë prisni nga ky raport? Në çfarë gjuhe do të flasë BE-ja për vendin edhe në Qershor?

Në datën 18 prill, Komisioni do të publikojë raportin e radhës për të gjitha vendet aspirante, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Unë kam bindjen që Komisioni do të rikonfirmojë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë, si vazhdimësi e rekomandimit që dha në dhjetor të vitit 2016. Kjo ka të bëjë edhe me kredibilitetin e këtij institucioni përballë vendeve anëtare. Ajo çka pritet të shikohet është nëse do të ketë një rekomandim me apo pa kushte, që më pas do t’i hapë rrugë vendimit të Këshillit në Qershor të këtij viti. Patjetër që Komisioni do të vërë në dukje të gjitha problematikat që kanë të bëjnë me 5 prioritetet kyçe, si dhe do të vazhdojë t’i bëj thirrje palëve politike për bashkëpunim dhe dialog politik që më së shumti i mungon spektrit politik shqiptar.

Në opinionin tuaj, cilat janë mangësitë kryesore që e kanë ngadalësuar rrugën e Shqipërisë drejt BE-së? Po me ecurinë e përmbushjes së 5 prioriteteve, mendoni se qeveria ka shënuar progres apo regres?

Mangësitë në këtë proces janë të shumta, duke filluar që me mungesën e seriozitetit dhe vullnetit të qeverisë për t’i dhënë zgjidhje disa çështjeve madhore që e kanë tronditur shoqërinë shqiptare, siç janë krimi i organizuar, trafiku i jo vetëm i kanabis, por tani edhe i drogërave të rënda. Dhe ajo çka e rëndon këtë çështje më shumë është lidhja e politikës me krimin që nuk është diçka e thjeshtë për t’u adresuar, aq më tepër kur besimi ndaj kësaj qeverie për këtë çështje është thuajse zero. Shkrirja e Ministrisë së Integrimit në këto muaj ka treguar se ka qënë një gabim i rëndë, ku është theksuar shumë mungesa e kapaciteteve dhe e memories institucionale. Jo çdo gjë nis apo mbaron me këtë qeveri! Janë dashur vite të tëra të ndërtonim një ekip me ekspertizë të lartë në çështjet e integrimit dhe të koordinimit të procesit. Sot kemi mangësi në raportime, administrata nuk është e qartë në detyrat e saj. Fatkeqësisht raporti i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, institucioni që monitoron punësimet e administratës civile, konkludon se 30% e marrëdhënieve të punës të verifikuara nga institucionet e shtetit janë kryer në mënyrë të paligjshme, me emërim të drejtë për drejtë nga titullari i institucionit dhe pa konkurs. Kjo tregon edhe rrënimin e respektimit të ligjit të nëpunësit civil, që ka qenë edhe kusht i procesit të integrimit.

Si e lexoni sfidën e kryeministrit Rama, i cili është shprehur se: “Ne do t’i lëmë mbrapa serbët në garën për në BE”. E shihni si presion, apo kjo qasje thellon më tej problemet mes dy vende?

Krahasimi që bëhet me vendet e rajonit është thjesht një justifikim dhe mos marrje përgjegjësish. Procesi i integrimit është një proces bazuar mbi meritë dhe si i tillë çdo vend ka specifikën e vet. Është gabim të bësh krahasime apo edhe të sfidosh vendet e rajonit. Kryeministri le ta tregojë zotësinë duke sfiduar krimin e organizuar, korrupsionin, duke i dhënë një shtysë ekonomisë shqiptare që qytetarët tonë mos largohen në masë nga vendi, por shpresën dhe të ardhmen ta gjejnë këtu. Kjo është detyra e qeverisë.

Në një intervistë për “Politico”, Rama ka thënë se opozita po dëmton procesin e integrimit. E shihni si derën ku qeveria do të hedh fajin nëse nuk marrin po e hapjes së negociatave, apo PD-ja po lobon që vendi të mos përfitojë?

Kjo deklaratë tregon në fakt pasigurinë që qeveria ka sot në dhënien e dritës jeshile për çeljen e negociatave. Besoj që kjo opozitë ka qënë më konstruktivja gjatë viteve të fundit përsa i përket procesit. Vetëm pak muaj më parë, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka dërguar një shkresë zyrtare Komisionerit Hahn për të kërkuar çeljen e negociatave pa kushte, pavarësisht problematikave që ka vendi. Në të gjitha takimet me zyrtarë të lartë të BE-së, opozita ka qenë e unifikuar në këtë qëndrim dhe ka ndihmuar më shumë se kurrë procesin. Por opozita nuk mund të bëjë punën e qeverisë. Është ekzekutivi ai që është përgjegjës për vendimet dhe ecurinë e prioriteteve kyçe. Tashmë ka ardhur koha që ata të tregojnë rezultatet e tyre, por kam frikë se mungesa e tyre tashmë po reflektohet edhe në retorikën dëshpëruese për të gjetur një fajtor!

Nëse vendoset hapja e negociatave, kjo do të thotë monitorim më i rreptë nga Brukseli ndaj vendit. A është gati vendi për të plotësuar kushtet Europiane?

Ky ka qenë pikërisht edhe argumenti ynë dhe nevoja që ka vendi sot për çeljen e negociatave. Çelja e kapitujve do të thotë një përgjegjësi më e madhe për qeverinë, por edhe një monitorim më i thellë i vendimmarrjeve të saj. Kjo fazë që ne kërkojmë të arrijmë është vetëm fillimi i një rrugëtimi të vështirë, për të cilën Shqipërisë do t’i duhen vite që të arrijë standartet Europiane. Këtu e kam fjalën jo vetëm për shtetin e së drejtës dhe kosnsolidimin e demokracisë, por edhe për ndërtimin e një ekonomie dhe tregu konkurrues me atë të BE-së.

Zgjedhjet lokale të 2019, janë një sfidë edhe për vetë LSI-në e cila do të dalë në fushatë si parti opozitare. A ka nisur LSI-ja përgatitjet, apo edhe të identifikojë kandidatët e mundshëm?

Puna në terren dhe evidentimi i njerëzve me vlera, janë një punë e përditshme për gjithsecilin nga ne. Patjetër që kjo sa vjen dhe do të intensifikohet deri në shpalljen e kandidaturave dhe shpalosjen e programe konkrete për secilën bashki. Organizimi i LSI-së në bazë ka qënë gjithmonë një nga pikat e forta të partisë dhe kam bindjen që pikërisht qytetarët do të jenë ata që do tregojnë një mbështetje të jashtëzakonshme për ne.

E shihni të mundur një marrëveshje opozitarizmi mes PD-së dhe LSI-së? Zëra nga të dyja forca flasin që LSI po flirton edhe me PS, për shkak të mosformalizimit me PD. Ka ndonjë të vërtetë në këtë?

LSI-ja dhe PD-ja kanë treguar qartë që janë një front i fortë kundër qeverisë. Marrëveshjet në përgjithësi janë dytësore, krahasuar me qëndrimet e përbashkëta aq shumë thelbësore në këto momente. Protesta e 27 janarit ishte në fakt edhe një afrim mes dy kampeve elektorale dhe ata treguan qartë që keqqeverisja ka kaluar të gjitha limitetet. Muajt në vijim patjetër që do të jenë vendimtar edhe në një bashkëpunim të mëtejshëm.

Çfarë po ndodh me këshilltarët e LSI-së në bashkitë e qarqeve të mëdha? Si i komentoi largimet e tyre nga LSI-ja dhe kalimin te PS-ja?

Të gjitha largimet e deritanishme kanë qënë të njohura për ne që para zgjedhjeve të 25 qershorit. Asgjë e re apo surprizuese! Ky teatri që shohim në televizione kërkon më shumë të japi idenë që njerëzit e LSI-së po largohen në këto momente. Unë mund t’ju them që janë me qindra qytetarë që na afrohen çdo ditë, dhe këtu bëjnë pjesë edhe të zhgënjyerit e Partisë Socialiste. Të jeni të bindur që ata janë të shumtë në numër.

Tashmë që Presidenti Meta dha autorizimin për marrëveshjen me Greqinë, si e shihni vijimësinë e paktit? Në prill qeveria shqiptare pritet të takohet me atë greke. Besoni se do nënshkruhet “Traktati i Miqësisë” dhe marrëveshjet e tjera, përfshi dhe atë të detit?

Unë e përgëzoj institucionin e Presidentit për profesionalizmin, por edhe rolin konstruktiv që kanë luajtur për një çështje delikate siç ishte ajo e detit. Është shumë e rendësishme që ky autorizim të përdoret me përgjegjshmëri nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe t’i qëndrojnë korrekt dhe besnik vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila deri në fund do të mbetet një vijë e kuqe për këto negociata edhe për opozitën. Datat e firmosjes së marrëveshjes për mua kanë pak rëndësi. Me rëndësi është fakti që ato të jenë të konsoliduara dhe të pakontenstueshme. Vetëm në këtë mënyrë ajo do të konsiderohej e sukseshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here