Udhëtimi dhe shfrytëzimi për kalim nëpërmjet autostradave pothuajse në çdo shtet paguhet, por dallimi i vetëm është çmimi. Ndaj, duke nisur nga 15 prilli i këtij viti, të gjithë ata që do të udhëtojnë në Rrugën e Kombit, në pjesën e Shqipërisë që është e gjatë 110 kilometra, do të paguajë një tarifë.
Në Mal të Zi, tuneli i Sozinës paguhet 2.5 euro, ky tunel e lidh Podgoricën me Detin Adriatik dhe është i gjatë 4.2 kilometra. Nëse udhëtoni nëpër Serbi autostrada ka një gjatësi prej 554 kilometrave dhe që është me e gjatë se Rruga e Kombit, në tri pika pagese në Serbi do të paguani 10.60 euro në një drejtim, shkruan Telegrafi.
Parapagimi vjetor i shfrytëzimit të autostradës në Slloveni është 55 euro, në Austri 34.7 euro, në Zvicër 40 franga zvicerane apo 37 euro, në Hungari 137 euro dhe Bullgari 50 euro. Në Kroaci paguhet pak më shumë se 5 euro për 100 kilometra, në Itali rreth 9 euro për 100 kilometra dhe në Greqi 6-9 euro për 100 kilometra. Pra, mesatarisht në Shqipëri për 100 kilometër paguhet 6.5 euro.
Taksa e Rrugës së Kombit për një drejtim
Motoçikletat 2.5 euro
Veturat 5 euro
Autobusët 11 euro
Kamionët 23 euro – 26 euro