Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, do të zhvillojë të enjten një takim me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati.
Në fakt Kotzias do të fluturojë të enjten drejt Vienës, ku të premten do të takohet me homologun maqedonas Nikolla Dimitrov dhe negociatorin e OKB-së për çështjen e emrit, Matzhew Nimetz.
Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar rreth këtij takimi, mësohet se avioni qeveritar grek do të bëjë një ndalesë prej rreth tri orësh në aeroportin e Rinasit.
Vetë Ministri i Jashtëm grek do të shkojë në Tiranë,për të zhvilluar një takim kokë më kokë me shefin e diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati.
Burime diplomatike në Athinë thanë se ka shumë gjasë që takimi që bëhet pa praninë e mediave dhe madje gazetarët grekë që shoqërojnë ministrin Kotzias për takimin e Vienës, të qëndrojnë në Rinas.
Të njëjtat burime thanë se takimi inkuadrohet në përpjekjet e Athinës dhe Tiranës për të mbajtur aktiv dialogun e filluar në nëntor të vitit të kaluar.