
Deputeti i LSI, Edmond Haxhinasto ka folur për vendimin e aplikimit të taksës për Rrugën e Kombit gjatë kohës që ka qenë ministër.
Ish ministri i transporteve tha në Kuvend se taksa ishte vendosur mbi tarifën për kilometer dhe se do të ishte nën mesataren e rajonit.
Haxhinasto nënvizoi se në dokumentat e konkurrimit shprehej qartë se banorët dhe qytetarët e zonës kanë qenë të përjashtuar nga taksa, ndërsa përdoruesit e shpeshtë të rrugës do të pajiseshin me abone.
Haxhinasto: “Unë padiskutim që i përmbahem me përgjegjësi të gjitha veprimeve që kam bërë në kohën kur kam qenë ministër dhe për rastin konkrekt. Por dua të bëj disa sqarime të cilat i konsideroj shumë të rëndësishme .
E para ka të bëjë me tarifën. Dua t’ju shpjegoj që është e vërtetë se janë përgatitur dokumentat e konkurrimit në atë kohë por porosia ka qenë shumë e qartë dhe e dokumentuar që tarifa për kilometër duhet të ishte nën mesataren e rajonit dhe po flasim për një tarifë nën 0.035 cent për kilometër aplikuar për distancën që ka kjo rrugë rreth 110 km i bie 3.85 euro shtoj edhe 20% nëse doni është 4.62 euro.
Unë e kam dhënë përgjigjen për këtë edhe kur jam pyetur në raste të tjera, çështja e tarifës për të gjithë rrugën ka të bëjë me tarifën për kilometër, këtë shikojeni edhe njëherë, vlerësojeni. Dua të shtoj edhe diçka tjetër për hir të transparencës dhe të së vërtetës për ata banorë dhe qytetarë të zonës atje.
Banorët kanë qenë të përjashtuar nga taksa, që përdoruesit e shpeshtë të rrugës të kenë abone, që do të thotë se tarfia nuk do të jetë kjo që është vendosur por shumë më e ulët se kaq. Dua të theksoj edhe investimet që duheshin bërë, rruga e re e Kukësit, kthesa e re e Kukësit drejt Morinës dhe përmirësimi i gjithë skarpateve.
Në qoftë se kjo do të bëhet unë i qëndroj përsëri atij qëndrimi që kam pasur që Rruga e Kombit e trajtuar me një taksë optimale është mënyra më e mirë sesi ta kthejmë këtë rrugë, kaq të rëndësishme dhe vitale për dy kombet tona, në gjendje të qëndrueshme.”