Ambasada Amerikane reagon per largimin e diplomateve Rus

0
748

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas vendimit të Moskës për të dëbuar diplomatët amerikanë si kundërpërgjigje ndaj Uashingtonit që largoi nga territori amerikan 62 përfaqësues të ambasadës mes tyre edhe njerëz të shërbimit sekret rus, të cilët nuk ishin deklaruar, pas rastit “Skripal”.

Edhe Shqipëria iu bashkua apelit të Britanisë së Madhe për reagim të fortë ndaj Rusisë, duke dëbuar dy diplomatë, Vladislav Filipov, atasheh ushtarak dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës ruse në Tiranë. Por një ditë më parë kryediplomati rus Sergej Lavrov paralajmëroi se do ketë reciprocitet ndaj çdo shteti që dëboi diplomatët rusë. Por sipas ambasadës së SHBA në Tiranë, vendimi i Rusisë përkeqëson marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë. Ambasada e SHBA sqaron gjithashtu se të dëbuarit ishin anëtarë të sigurimit rus.

“Vendimi i Rusisë për të dëbuar diplomatët amerikanë vetëm sa përkeqëson më tej marrëdhënien midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Shtetet e Bashkuara dhanë përgjigjen e duhur me përjashtimin e zyrtarëve të padeklaruar të shërbimit të inteligjencës ruse, pas sulmit vdekjeprurës në Mbretërinë e Bashkuar”.

Ambasada e SHBA në Tiranë

 


(Reagimi i ambasadës amerikane në Tiranë)

Pak ditë më parë ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës që dëbuan 62 diplomatë rusë nga territori i SHBA si dhe mbyllën konsullatën ruse në Siatëll. Ndërsa Moska u përgjigj dje duke larguar nga vendi të njëjtin numër diplomatësh si dhe mbyllën konsullatën amerikane në Shën Petersburg.

Marrëdhëniet mes perëndimit dhe rusisë janë tensionuar ndjeshëm pas helmimit me agjent nervor të ish-agjentit të dyfishtë Sergej Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Salisbury në Britaninë e Madhe. Londra e cilësoi këtë si cenim të sovranitetit të saj nga Rusia, pavarësisht se këta të fundit janë distancuar nga akti, si dhe shkelje të disa konventave kundër përdorimit të agjentëve kimikë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here