Hakmerret Rusia, dëbon dy diplomatë nga Moska

0
568

Rusia është hakmarrë menjëherë me 23 vendet që i dëbuan diplomatët, mes tyre edhe Shqipërinë. Ministria e Jashtme e Rusisë, njofton se ka thirrur sot ambasadorët e vendeve të huaja që kanë dëbuar diplomatët rusë, për t’u dorëzuar atyre nota proteste dhe për t’i informuar mbi kundërpërgjigjen e Rusisë. Sipas burimeve emrat e diplomatëve që janë dëbuar nga ambasada e Shqipërisë në Moskë janë; Albert Jerasi, që mban detyrën e zv/ambasadorit dhe Arben Doçi, këshilltar. Diplomatët që janë dëbuar kanë afat që të largohen nga Moska deri në datë 5 prill. Ministria e Jashtme thirri krerët e misioneve diplomatike nga Australia, Shqipëria, Gjermania, Danimarka, Irlanda, Spanja, Italia, Kanadaja, Letonia, Lituania, Moldavia, Holanda, Norvegjia, Polonia, Rumania, Ukraina, Finlanda, Franca, Kroacia, Republika Çeke, Suedia dhe Estonia. Ministria e Jashtme e Rusisë deklaron se ka njoftuar ambasadorët e vendeve që urdhëruan dëbimin e diplomatëve rusë se një numër i barabartë diplomatësh të tyre janë shpallur persona ‘non grata’. Në datë 26 mars, Shqipëria shpalli ‘non grata’ dy diplomatë rusë pas përplasjes mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë. Dy diplomatët që u dëbuan nga Shqipëria janë Vladislav Filipov, atashe ushtarak dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i ambasadës së Rusisë në Tiranë. Rusia njoftoi dje se do të dëbonte 60 diplomatë amerikanë si kundërpërgjigje ndaj SHBA-së dhe vendeve të tjera që u solidarizuan me vendimin, ndërsa sot u zyrtarizua vendimi.

Rusia i cilëson si të pajustifikuara dëbimet e diplomatëve rusë në lidhje me rastin Skripal, ish-spiunin e helmuar në Britani pak javë më parë që shkaktoi reagime në të gjithë botën. Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë ku thuhej se veprimi i Moskës “shënon një keqësim të mëtejshëm” të marrëdhënieve midis SHBA dhe Rusisë. “Dëbimi i zyrtarëve të padeklaruar të inteligjencës ruse nga Shtetet e Bashkuara dhe nga më shumë se 24 vende partnere dhe aleatë të NATO-s këtë javë ishte një përgjigje e përshtatshme ndaj sulmit rus në territorin e Mbretërisë së Bashkuar. Përgjigja e Rusisë nuk ishte e papritur”, thuhej në deklaratë. Moska mohon përgjegjësinë për sulmin me agjent nervor. Ajo thotë se sulmi është kryer nga shërbimet e inteligjencës britanike në mënyrë që Rusia të paraqitet në dritë të errët. Britania e hedh poshtë këtë pohim.

Reagimi i MPJ

Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi pas vendimit të Moskës për të dëbuar dy diplomatë shqiptarë. “Me datë 30 mars 2018, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Moskë u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse. Gjatë takimit, Ambasadorit iu komunikua shpallja “non-grata” e dy diplomatëve shqiptarë të akredituar në Federatën Ruse. Reagimi i Moskës nuk përbën surprizë për ne. Vendimi i marrë prej nesh pak ditë më parë në lidhje me dy diplomatët Rusë, i bashkërenduar me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë ishte proporcional ndaj sulmit kimik në Salisbury. Theksojmë se kanalet tona diplomatike mbeten të hapura në funksion të marrëdhënieve konstruktive dypalëshe, paqes dhe sigurisë”, thuhet në deklaratë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here