Tuesday, March 28, 2023
Home Aktualitet Dëmin do e paguajë buxheti, Rama: 5 euroshi për Rrugën e Kombit,...

Dëmin do e paguajë buxheti, Rama: 5 euroshi për Rrugën e Kombit, i panegociueshëm

0
611

Dëmi që u shkaktua në rrugën e kombit nga protesta do paguhet nga buxheti i shtetit. Në një dalje për mediat, kryeministri i quajti vandalë ata që i vunë zjarrin pronës së përbashkët dhe tha se do të niste një fushatë informimi me qytetarët e Kukësit për ti komunikuar lehtësirat e përdoruesve të shpeshtë të rrugës dhe banorëve të zonës. Për gjithë të tjerët, taksa do të jetë 5 euro e panegociueshme.

Lufta ndaj dizinformimit për tarifën e Rrugës së Kombit, për kryeministrin Edi Rama fillon që nga dita e Pashkëve katolike. Edhe pse pranoi se qeveria nuk kishte bërë sa duhej për të informuar si duhej njerëzit, Rama u kujtoi qytetarëve se dëmi i shkaktuar nga protesta, do të paguhet nga buxheti i shtetit.

Rama: Të tërhiqesh nuk është asnjëherë e paudhë, në rast se duhet të tërhiqesh, por këtu s’ka asnjë tërheqje për të bërë, por ka thjesht nevojë për të luftuar dezinformimin që orkestrohet nga zjarrnxitësit e Tiranës dhe që për fat të keq gjen të gjitha kanalet hapur në pasqyrat mediatike të Tiranës. Ngrihet një furtunë në gotë dhe derdhet benzinë e ndizet zjarr mbi pronën e përbashkët dhe mbi një investim që, sa për dijeni, do duhet ta dëmshpërblejë përsëri buxheti i përbashkët. Kështu që, në këtë fushatë dezinformimi, ku me dashje, apo pa dashje, të gjithë ju keni rolin tuaj, ne mund të kishim bërë më shumë, patjetër, për ta luftuar dezinformimin dhe në këtë fazë do përpiqemi të bëjmë atë që duhet, për të informuar si duhet publikun dhe në mënyrë të posaçme banorët. 

Edhe pse në kontratë parashikohej që në 6 muajt e parë do të identifikoheshin përdoruesit e shpeshtë të rrugës për të përfituar uljen në tarifë, kjo do të bëhet për 60 ditë, dhe kur të nisë sërish aplikimi i tarifës, Kryeministri siguroi se ky sistem do të ketë përfunduar.

Rama: Do të mund të marrin abone që vetvetiu reduktojnë çmimin. 120 mijë euro që kompania i vendos në dispozicion të bashkisë për banorët më në nevojë. Fjala vjen, nëse njerëzit do shkojnë në spital, duke filluar që nga ata që kanë nevojë për të bërë dializën dhe që e kanë të domosdoshme ta kalojnë rrugën 3 herë në javë, nuk mundet as t’ju themi që ju do paguani sa herë të kaloni tarifën e plotë dhe as t’i lëmë të paguajnë. Përdoruesit e tjerë duhet të paguajnë 5 euro dhe mos ta diskutojnë fare. Nuk ka shans që të tërhiqemi. 

I pyetur nëse do të ketë ulje të shkëmbimeve tregtare nga aplikimi i tarifës për kamionët, Rama u shpreh se kjo nuk do të ndodhë.

Rama: Asgjë nuk do ndërpritet, përkundrazi, çdo gjë do vazhdojë normalisht, sepse kushdo që vjen, do vazhdojë të vijë, kushdo që ikën, do vazhdojë të iki. Domethënë nuk ka asnjë rrezik të tillë, e thotë studimi, nuk e them unë, sepse kemi bërë një studim shumë të detajuar për të gjithë këtë proces. Ndërkohë, tarifa nuk u vu këtë javë. Tarifa ka dy vjet që dihet, kështu që nuk është një gjë e re. 

Kryeministri tha se kjo rrugë nuk mund të jetë pa pagesë për shkak të degradimit të saj dhe pamundësisë së buxhetit të shtetit për ta mirëmbajtur.

Nëse tarifa nuk do të aplikohet, Rama u shpreh se brenda 10 vitesh rruga do të jetë e papërdorshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here