Mbi 600 kg lëndë narkotike e llojit kanabis është sekuestruar në një operacion antidrogë të policisë të zhvilluar në Vlorë gjatë mbrëmjes së të shtunës, 31 mars 2018.
Droga u kap vendin e quajtur Pasha Liman në Orikum ndërsa po transportohej me një furgon me qëllim trafikimin e saj drejt Italisë.
“Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Vlorë, Delta Forcë dhe Roja Bregdetare, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë zhvilluar një operacion antidrogë, të koduar ”SEA”, në të cilën morën pjesë 40 forca policie dhe u finalizua me sukses duke sekuestruar 629.5 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa në formë pluhuri, 6.9 kg lëndë narkotike, kanabis në formë çokollate dhe 900 gramë vaj hashashi” informon policia.
Krahas furgonit ku ndodhej droga policia ka sekuestruar edhe 4 automjete të tjera si dhe një mjet lundrues tip gomone 8 metra të gjatë me 2 motorra të fuqishëm 350 kh, e cila dyshohej se do të përdorej për trafikimin e lëndës narkotike drejt Italisë.
Policia ka arrestuar 6 persona për lëndën narkotike. Në furgonin ku po transportohej droga u kapën Mario Brahimi 24 vjeç, Berdo Rruçaj 34 vjeç dhe Halil Kushta 24 vjeç, të tre banues në Orikum.
Uniformat blu gjithashtu arrestuan dhe tre personat që gjendeshin në gomonet, të cilët mendohet se po prisnin të ngarkonin kanabisin për trafikim, përkatësisht Petraq Selamaj 40 vjeç dhe Erjon Belaj 28 vjeç, banues në Vlorë si dhe Aleks Duraj 35 vjeç, banues në Llakatund.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale ”Trafikimi i narkotikëve”.