Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, e cilësoi protestën e sotme në Rrugën e Kombit një reagim të fortë qytetar ndaj arrogancës qeveritare.
Vasili: Ky ishte një reagim qytetar, nuk ishte një organizim partiak. Ishte përgjigje e fortë ndaj një arrogance të padëgjuar dhe qëndrimi jo vetëm abuziv por edhe poshtërues që Kryeministri mban me të gjithën qytetarët e vendit.Ky është një njeri i gabuar në vendin e gabuar por edhe i dëmshëm. Sot ka qenë dita e një reflektimi jashtëzakonisht të madh të një populli që i ka vajtur thika në kockë.
Vasili tha se qytetarët u provokuan dhe u dhunuan gjatë protestës. Një koment pati edhe për paralajmërimin e Ramës ndaj këshilltarëve socialistë për përjashtim nga PS.
Vasili: Distancohem nga provokimet që i janë bërë sot qytetarëve, ka pasur mjaft qytetarë që janë lënduar. Dhe mjaft prej tyre nga druajtja e mëtejshme e dhunës policore gjatë natës janë kuruar nëpër shtëpitë e tyre, kjo është akoma më e rëndë. Kemi dëgjuar për fat të keq edhe para pak çastesh një qëndrim më negativ, më të shëmtuar dhe më antishqiptar që mund të ketë mbajtur një Kryeministër ndaj shtetasve të vet. Dëgjuam për fat të keq që sot kushdo që mbështet kauzat qytetare është njeri i papranueshëm, i cili përzihet, flaket tej dhe përçmohet nga kryeministri pasi etjes për të fituar miliona pa fund nuk i kanë shpëtuar as vetë njerëzit që kanë menduar se përfaqësojnë PS. Dëgjuat qartë që këshilltarët socialistë që mbështetën kauzën qytetare u deklaruan se do të jenë jashtë PS-së.Kjo tarifë nuk duhet të aplikohet, duhet të ndalet në çast.
Për Vasilin, tarifa skllavëruese në Rrugën e Kombit duhet të hiqet menjëherë.
Vasili: Kjo tarifë është një tarifë skllavëruese nga një vend që është mbërthyer nga një varfëri ekstreme dhe nga koncesione hajdutësh qindramilionëshe. Kjo kërkon përgjigje të prerë.Kjo përgjigje e prerë është e pamundur të jepet nga një kryeministër që me marrjen e frymës së tij për shkak të halleve të popullit dhe fukarrellëkut të madh dhe zullumit të madh nuk është i zoti dhe është njeriu më i gabuar për ta dhënë këtë përgjigje.