Prishen marredheniet mes Shqiperise dhe Kosoves?Çfare thone ekspertet…

0
2701

Taksa në Rrugën e Kombit dhe protesta në Kukës janë ngjarjet më të bujshme të aktualitetit.

Sakaq, në lidhje me këtë çështje ka pasur reagime të shumta si në radhët e politikanëve të të dy vendeve, qytetarëve por edhe ekspertëve. Ndërkohë që qytetarët protestojnë për heqjen e taksës, një çështje tjetër e rëndësishme nuk mbetet pas. Bëhet fjalë për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, Shqipëri dhe Kosovë.

Duke qenë se vendet kanë nënshkruar mjaft marrëveshje tregtare, taksa e vendosur ka impakt të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi tha për Radion Evropa e Lirë se tarifa rrugore është një goditje shumë e rëndë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Vëllimi tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është dhjetë herë më i ulët sesa me Serbinë dhe vendosja e taksës rrugore do ta reduktojë edhe më shumë këtë vëllim tregtarë. Qeveria e Shqipërisë po merr veprime konkrete të cilat po e frenojnë rritjen e vëllimit tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve”, tha Gashi.

Ndërsa, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se do të duhej të kishte taksë, por ajo të jetë e arsyeshme, pasi që tarifa e caktuar do të ketë ndikim negativ në aspektin ekonomik.

“Një vendim i cili kur është marrë nuk ka trajtuar shumë aspekte. Ka qenë jotransparent dhe ka një strukturë të taksave që janë mjaft të larta, qoftë për qytetarët, qoftë për biznesin. Pjesa më e madhe që preken nga kjo taksë janë qytetarët e Kosovës. Nëse kjo taksë mbetet dhe nuk ka alternativë së paku do t’i bëjë produktet më pak konkurruese. Por, unë mendoj se ende ka hapësirë që Qeveria e Shqipërisë të gjejë një modalitet që nuk i dëmton as qytetarët e as bizneset”, tha Rukiqi.

Protesta dhe kundërshtimi i qytetarëve për taksën në Rrugën e Kombit, vazhdon edhe në Tiranë përpara Drejtorisë së Policisë pas arrestimit të 24 qytetarëve që morën pjesë në protestën e dhunshme në Kukës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here