8 aktivistë u proceduan penalisht për protestën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Mes tyre Brizida Gjikondi, Andi Tepelena, Alben Kola dhe Edvin Pacara, shumë aktivë edhe në protestat e tjera që kanë në qendër qytetarët.
Sakaq, pas procedimit ka reaguar ish-ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi i cili e cilëson këtë një hakmarrje tipike të regjimeve diktatoriale. “Liria e tubimit paqësor dhe pa armë, si dhe pjesëmarrja në to garantohet nga Kushtetuta. Tubimet në vende të hapura për publikun mbahen edhe pa njoftimin paraprak të policisë, në çdo kohë dhe pa kërkuar kurrëfarë leje. Këtë thotë ligji! Mirëpo, mesazhi është shumë i qartë – kushdo që proteston kundër veprimeve arbitrare të Qeverisë dhe në mbështetje të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, shpallet armik i popullit dhe duhet arrestuar (apo minimalisht shqetësuar/bezdisur)”, shkruan Bardhi.
REAGIMI I PLOTË:
“Policia dhe prokuroria vazhdojnë të çudisin me aktet dhe veprimet e tyre të urdhëruara politikisht. Sapo njoftuan se kanë proceduar penalisht 8 qytetarë, me pretendimin absurd, se kanë organizuar tubim të paligjshëm përpara Drejtorisë së Policisë Tiranë!
Liria e tubimit paqësor dhe pa armë, si dhe pjesëmarrja në to garantohet nga Kushtetuta. Tubimet në vende të hapura për publikun mbahen edhe pa njoftimin paraprak të policisë, në çdo kohë dhe pa kërkuar kurrëfarë leje. Këtë thotë ligji! Mirëpo, mesazhi është shumë i qartë – kushdo që proteston kundër veprimeve arbitrare të Qeverisë dhe në mbështetje të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, shpallet armik i popullit dhe duhet arrestuar (apo minimalisht shqetësuar/bezdisur).
I kujtoj Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, se jo më larg se fundi i vitit të kaluar, një grup qytetarësh, të vetëshpallur si mbështetës të ish-Ministrit Saimir Tahiri, u grumbulluan përpara shtëpisë së tij dhe më pas përpara selisë së Kuvendit të Shqipërisë, duke bllokuar për shumë orë e ditë rrugën, me kërkesën për të mos arrestuar deputetin Saimir Tahiri. Asnjë veprim nuk u ndërmorë nga Policia dhe Prokuroria, jo vetëm për t’i proceduar ato penalisht për tubim të paligjshëm, por as për të liruar rrugën.
Pra, kush proteston që të mos arrestohet deputeti Saimir Tahiri, i akuzuar si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal që bënte trafik ndërkombëtar narkotikësh, është në përputhje me ligjin dhe shpallet hero i pushtetit. Ndërsa, kush proteston për të liruar nga burgu qytetarë të zakonshëm të këtij vendi, që akuzohen po ashtu për tubim të paligjshëm, shpallet armik dhe përndiqet nga pushteti.
Kjo nuk është drejtësi! Kjo është hakmarrje tipike për regjimet diktatoriale!”