Thirrje kundër qeverisë, kryeministrit vetë, por edhe këngë e valle Kukësi kemi parë përgjatë gjithë këtyre orëve në rrugën “Sami Frashëri”, ku ndodhet Drejtoria e Policisë, aty ku janë transferuar pas arrestimeve 23 kuksianë.

Ndërsa ora kalon, protestuesit e ardhur kryesisht nga Veriu shprehen se do të rezistojnë e do të përshkallëzojnë protestën deri sa të lirohen “djemtë”, siç i quajnë ata.

 

Sipas tyre, të rinjtë janë arrestuar pa të drejtë e prandaj i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama t’i lirojë ata deri në orën 18:00.

Ne do përshkallëzojmë protestën. Të solidarizohen qytetarët e tjerë, të vijnë këtu në ndihmë të atyre djemve që protestuan si njerëz të thjeshtë. Ata u provokuan. Unë quhem Dashamir Cara, i bëj thirrje kuksianëve, Kamzës, Bathores, Institutit, kudo që jeni hajdeni sa më parë të protestojmë ndaj kësaj qeverie qeverie që ka rrëmbyer djemtë tanë në mes të natës. Protesta nuk do ndalohet. Përderisa kryeministri doli me frymëmarrje të keqe, e tha se kishte gjak shqiptari po i lëmë afat deri në orën 18:00 që të nxjerrë djemtë tanë. Taksën e Kukësit kurrë s’ke për ta marrë”,- tha ai.

Kujtojmë që më 31 mars protesta në Rrugën e Kombit degjeneroi në dhunë masive. Protestuesit e policia u përleshën mes tyre, ndërsa pati edhe të plagosur. Turma e irrituar për vendosjen e taksës së kalimit, shkatërroi e dogji më pas edhe sportelet që do të mblidhnin taksat. Ndërsa protestuestit pretendonin që ishin provokuar nga policia, si ministri i Brendshëm ashtu edhe kryeministri Rama akuzuan se mes tyre kishte persona me precedentë të theksuar kriminalë, të nxitur politikisht për veprimet e dhunshme. I pari i qeverisë tha ndër të tjera se skenari i së shtunës ishte ngjizur në Tiranë, duke drejtuar gishtin nga opozita. Pak orë pas protestës u lëshuan 23 urdhërarreste. Forca policore nga Tirana udhëtuan përgjatë natës drejt Kukësit e kryen arrestimet.

LEAVE A REPLY