Tabaku i pergjigjet Gjiknurit:Investimet e huaja kane rene,investitoret po largohen…

0
698

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku i përgjigjet Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjjisë Damian Gjiknuri, në lidhje me investimet e huaja në vend.

Tabaku shprehet se për vitin qe sapo mbyllën, investimet e huaja kanë rënë me 35 milionë euro ndërsa investitorë seriozë e gjejnë pasigurinë e pronës si një problem madhor. Vende si Gjermania, Organizata Ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Holanda i kanë zvogëluar investimet e tyre në Shqipëri edhe si pasojë e pa sigurisë së pronës, sipas Tabakut.

“Por prona, që është ne thelb baza e një tregu kapitalist, nëse trajtohet me sulme plaçkitëse të Task-Forcave me në krye drejtorë të akuzuar edhe hetuar për korrupsion. Do të jetë përherë problemi që do të pengojë investimet e huaja serioze të vijnë në Shqipëri. Jo rastësisht që nga dita që qeveria nisi sulmin ndaj pronave edhe investitorët e huaj nisën të largoheshin nga Shqipëria”, shprehet deputetja.

Fjala e plotë e deputetes Tabaku:

Lufta e qeverisë ndaj pronës së lirë ka larguar investitorët seriozë!

Prona ka qenë një nga problemet kyçe që Shqipëria trashëgoi në tranzicion si pasojë e zhdukjes së saj dhe shtetëzimit të dhunshëm në periudhën diktatoriale. Pronarët jo vetëm përfunduan pa pronën që e kishin fituar, blerë apo trashëguar konform ligjeve dhe traditës por gjithashtu u “strehuan” nga qeveria popullore e drejtuar nga diktatori Hoxha në bodrumet e shtëpive të tyre. Të tjerë u dërguan në kampet e përqendrimit si ai i Tepelenës, të tjerë në fushat edhe moçalet e Myzeqesë, të tjerë përfunduan në burgje apo edhe të pushkatuar.

Fatkeqësisht pronarët sot përballen me një qeveri që ka menduar kundër tyre që në ditën e parë që ka vendosur këmbën e saj në godinën qeveritare. Tokat e destinuara për kompensim tek pronarët i tjetërsoi duke i kaluar nga fondi i pronarëve në fondin e oligarkëve, ligje anti kushtetuese që sulmonin dhe sulmojnë pronarët, vendime antikushtetuese që rëndojnë gjendjen e pronarëve.

Raportimi që kanë me pronat dhe pronarët legjitim, kjo qeveri e dëshmon qartazi në mënyrën se si përzgjedh deputetët e saj. Jo më larg se dy javë më parë një pronare tokash ka akuzuar publikisht dhe me prova një deputet të mazhorancës për tjetërsim pronash. Sjellje të tilla nga qeveria socialiste nuk janë risi dhe as habi, të mos harrojmë që është kjo qeveri që po përpiqet për vit të prodhojë vendime qeveritare apo edhe ligje për t’ua rrëmbyer pronarëve atë çfarë u takon.

Pronarët dhe shoqatat e tyre po vazhdojnë të çojnë në gjykatën e Strazburgut vendimet dhe ligjet e qeverisë duke transmetuar pasiguri. Për vitin qe sapo mbyllën, investimet e huaja kanë rënë me 35 milionë euro ndërsa investitorë seriozë e gjejnë pasigurinë e pronës si një problem madhor. Vende si Gjermania, Organizata Ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Holanda i kanë zvogëluar investimet e tyre në Shqipëri edhe si pasojë e pa sigurisë së pronës.

Tokat e pronarëve janë sot darka dhe dreka e kryeministrit dhe oborrtarëve të tij me të cilët ai i ndan tokat si llokma të pushtetit dhe pasurimit personal. Aq problematike është kthyer çështja e pronësisë dhe legjitimitetit sa që edhe investitorët e huaj e rreshtojnë problemet e pronësisë si një nga “minuset” e Shqipërisë.

Kokëfortësia e kësaj qeverie nuk njeh limite. Etja e saj për t’u pasuruar në kurrizin e pronarëve të ligjshëm dhe hakës së tyre është më e madhe se sa mendojnë shqiptarët. Prandaj sot, i gjithë enturazhi qeveritar i është turrur atyre që me të drejtë akuzojnë një qeveri pakice se po vjedh në mënyrë banditeske pronën.

Por prona, që është ne thelb baza e një tregu kapitalist, nëse trajtohet me sulme plaçkitëse të Task-Forcave me në krye drejtorë të akuzuar edhe hetuar për korrupsion. Do të jetë përherë problemi që do të pengojë investimet e huaja serioze të vijnë në Shqipëri. Jo rastësisht që nga dita që qeveria nisi sulmin ndaj pronave edhe investitorët e huaj nisën të largoheshin nga Shqipëria.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here