Një ditë pasi në gjykatën e Apelit Shkoder kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj sëbashku me zyrtarët e tjerë të pushtetit vendor u njoh me masën e sigurisë, atë të arrestit në shtëpi, lidhur me skandalin e tjetërsimit të pronave tek “Rana e hedhun” në Shëngjin, policia ka arrestuar një tjetër të shpallur në kërkim, i akuzuar si përfitues abuziv i tokave. Zyrtarisht policia konfirmoi arrestimin e 59 vjeçarit Zef Gjini, si një nga 11 personat e shpallur në kërkim pas operacionit “Ranishtja 4” për tjetërsimin e tokave në bregdet.
Sipas dosjes hetimore të prokurorisë së Lezhës, 59 vjeçari Gjini rezulton mes përfituesve abuzivë të tokës në vendin e quajtur Rana e Hedhun. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’ për falsifikim dokumentesh. Në kuadër të operacionit, u vunë në pranga 13 persona, mes të cilëve dhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, ndërsa 10 të tjerë u shpallën në kërkim.
Zyrtarët lokalë dhe personat e tjerë të hetuar nga Prokuroria akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar mjaft hektarë tokën në zonën e plazhit të Shëngjinit, duke e kthyer nga tokë ranore në truall bujqësore, e më pas duke e shitur kundrejt vlerave të konsiderueshme monetare. Prej ditës së marte Frrokaj po mbahet në “arrest shtëpiak”, por i është hequr mbikqyrja policore dhe u i lejuar komunikimi. E njëjta masë u vendos për nënkryetarin e bashkisë Enver Hafizi dhe ish-kryetarin e Këshillit të qarkut Gjokë Ndoka.