Tuesday, April 23, 2024
Home Aktualitet Famulltari i Velipojës: Motoja e botës së krimit: “Vdekja jote është një...

Famulltari i Velipojës: Motoja e botës së krimit: “Vdekja jote është një shans që unë të jetoj”

0
602

Famulltari i Velipojës, Marjan Gega thotë se njerëzit e krimit përfitojnë mbi dobësitë e të tjerëve dhe nëpërmjet parave të drogës, krijojnë më shumë pabarazi, duke deformuar tregun.

Më poshtë fjala e plotë e famulltarit Marjan Gega: Njerëzit e “botës së krimit”, të cilët duan të përfitojnë mbi dobësitë e të tjerëve, janë të shumtë dhe në çdo vend të botës, kështu që janë njerëz me pushtet dhe me ndikim të madh edhe në shoqëri, e të cilët jetojnë mbi kurrizin e të tjerëve (shpesh herë nuk e përdorin për vete drogën), por jetojnë me moton ‘vdekja jote është një shans që unë të jetoj’.

Shihni se çfarë po ndodh edhe në Shqipëri vitet e fundit: me kultivimin e drogës, me trafikimin në forma nga më të ndryshmet, me importimin dhe eksportimin e këtyre drogërave, e që me siguri nuk i mbajnë njerëzit e thjeshtë, njerëzit pa një identitet. Nuk ka nevojë për komente!

Kemi një impakt të paevitueshëm që është deformimi i tregut nga paratë e pista. Ata njerëz që po i përdorin ato para të pista, po ngjisin shkallët e instancave të paaritshme të një pakice dhe po humbasin shpresat shumica e njerëzve.

Të mendosh faktin që, në instinktin njerëzor gjithsecili do të bëhet i pasur, gjithsecili do të mbërrijë diçka.

Këtu nuk ka më barazi njerëzore, sepse ata që kanë para të pista mund t’i investojnë më shpejt dhe madje të përkufizojnë gjithë tregun.

Atëherë lind pyetja: “Si mund të kultivojnë fshatarët qepë apo sallatë, kur gjenden përballë një trysnie kaq të madhe që ushtron kultivimi i kanabisit në Shqipëri?

Por jo vetëm këtu. Po të bësh një kërkim të shpejtë në web, do të shohim që, trafikantë me origjinë nga Shqipëria, dalin në shifra marramendëse (nuk po flasim për shifra se mbase secili nga ju ka mundësi të hyjë në internet e t’i gjejë vetë), paratë e të cilëve, investohen në Shqipëri.

Edhe nëse janë në burg jashtë shtetit, paratë e tyre investohen në Shqipëri dhe deformojnë tregun.

Si mund të konkurrojë hoteli i atij velipojanit që ka në pronësi vetëm tokën, një pasuri krejt e vogël, në krahasim me ata që kanë pasuri nga shitja e drogës, ata që ndërtojnë hotele dhe shtëpi jashtëzakonisht të mëdha dhe shumë shpejt?

Prandaj, nëse do të duhej që ndonjëherë të bënim moral, do t’i lusja njerëzit që të marrim masa të vogla, por konkrete, duke bërë zgjedhje preferenciale për bizneset e njerëzve të thjeshtë, jo për ata që, për një ditë lindin biznese të reja dhe shumë të fuqishme.

Po zgjidhjet, kush janë?

Izolimi i përdoruesve? Jo, sepse kemi edhe problemin tjetër që është edhe problemi i trafikantëve.

Burgu?

Kurimi i tyre, që ka një kosto jashtëzakonisht të lartë për shoqërinë?

Eliminimi i tyre, në mënyrën e presidentit të Filipineve, që del në rrugë dhe vret trafikantët dhe përdoruesit e drograve?

Me siguri që nuk është kjo zgjidhja!

Problematika është shumë më e gjerë.

Duhet parë që në mënyrën e edukimit të fëmijëve dhe në mënyrën e jetesës së familjeve.

Po sot atëherë, pse ka kaq shumë fajdexhi? E jo vetëm këtu tek ne, por edhe në të gjithë botën, përjashto veriun e Evropës, e cila ka vënë shumë rregull dhe ligje shumë të rrepta në lidhje me këtë gjë.

Po në Shqipëri, cilat janë specifikat që e bëjnë të lulëzojë këtë fenomen?

Me siguri janë të shumta arsyet pse po ndodhin të gjitha këto fenomene, por unë po rendis vetëm disa:

Së pari: Sistemi financiar i bankave është kthyer tashmë në një sistem fajdexhinjsh, sepse garancitë që kërkojnë bankat janë tepër të mëdha dhe interesat e huazimit tejkalojnë mundësitë normale të zhdebitimit.

Burokracia dhe klientelizmi nga ana e bankierëve, ka arritur kulmin.

Ekonomia informale është bërë preferenca e shumë individëve dhe këtu do të kisha një propozim: Edhe këtu në Shqipëri shohim që një prej elementeve kryesorë të shtetit shqiptar merr borxh në të gjithë botën. Prej institucioneve të ndryshme financiare dhe nuk merr borxh prej qytetarëve të vet për ndërtimin e pasurisë publike.

E këtu, secili njeri do të ishte një pronar i vogël, bashkëpjesëtar dhe do të ruante shumë më mirë “të mirën e përbashkët” e do ta quante si një vlerë të shtuar të mirën e përbashkët sepse është vetë investitor.

Paratë e krimit janë një tjetër kontribuues i këtij fenomeni.

Injoranca e qytetarëve në fushën ekonomike, korrupsioni masiv i qeveritarëve, që nuk është absolutisht indiferent.

Të gjitha këto janë premisa për paranë që qarkullon në të zezë dhe e cila gjeneron dhe do të gjenerojë padrejtësi, varfëri të tejskajshme të atyre që mendojnë se janë të zotë sepse kanë ide, por që, shpesh herë u mungon kapitali njerëzor dhe intelektual dhe shpesh herë shkojnë e gjejnë rrugë më të thjeshta, primitive, të cilat i çojnë në krim të paevitueshëm siç është “fajdeja”.

Është e njëjta situatë si me drogën: Është egoizmi njerëzor që shtyn dikë të rrezikojnë më tepër se sa është e mundur për individin ose për familjen, por njëkohësisht është edhe krijimi i strukturave mafioze të mirëfillta, struktura të mëkatit, të cilat funksionojnë në marrjen e frymës së individëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here