Tentuan të mbillnin tokat me hashash, si ia prishi planin policia trafikantëve në Shkodër

0
710

Policia e Shkodrës ka goditur një grup të dyshuar si kriminal që po tentonte të bëhej gati për kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Dukagjinit. Teksa drejtuesit më të lartë të policisë folën nga Shkodra duke thënë se organizatorët dhe financuesit e kultivimit të bimëve narkotike do të goditen, këta të fundit kanë vijuar punën e tyre të pandikuar nga mesazhet e zyrtarëve të lartë të policisë. Një grup prej 5-6 personash kanë shmangur postobllokun e policisë në rrugën Shkodër-Dukagjin. Ata janë futur tek ura e Mesit dhe më pas kanë marrë rrugën malore të Shllakut, pjesë e bashkisë Vau Dejës.

Nga aty ky grup bashkë me materialet dhe mjetet për kultivim kanë mbërritur në fshatin Drisht të Postribës duke shmangur kështu kontrollin policor. Përmes urës së Telit kanë menduar që ngarkesën që ju duhej për të nisur kultivimin ta kalonin me krahë fizikisht përmes urës duke ecur në këmbë. Në anën tjetër të urës sipas planit do shkonte një tjetër makinë për të marrë personat dhe materialet për kultivim për t’i çuar më pas drejt Dukagjinit. Autorët përmes informacionit në rrugë operative janë zbuluar nga policia, të cilët u vunë në ndjekje të tyre. Autorët të identifikuar nga policia janë larguar në drejtim të paditur duke braktisur dy mjetet që kishin në fshatin Drisht të njësisë Postribë. Në vendngjarje ka mbërritur edhe vetë drejtori i policisë vendore Vehbi Bushati bashkë me shefin e komisariatit, drejtues të tjerë, forcat Shqiponja dhe dhjetra efektivë për të mos lejuar grupin prej 5-6 personash që të realizonin planin e mirëmenduar për nisjen e punës për kultivimin e cannabisit në zonën e Dukagjinit. Forcat e policisë janë vënë në ndjekje dhe po punojnë për kapjen e këtyre personave që dyshohen se do mbillnin lëndën e njohur si hashash.

Policia e Shkodrës prej ditësh ka ngritur një postobllok në rrugën Shkodër Dukagjin për të patur nën kontroll të gjithë ata që kalojnë në atë aks për të mos lejuar transportimin e materialeve dhe mjeteve për kultivimin e cannabisit. Vetëm një ditë para kësaj ngjarje në Shkodër ishte zëvendës drejtori i policisë së shtetit Gjovalin Loka i cili tha se do goditen kokat e krimit dhe bëri të ditur se që nga 6 prilli mbi Dukagjin dhe zona të tjera me risk po fluturojnë avionët e policisë italiane të Guardia Di Finanza për monitorim të atyre parcelave që mund të bëhen gati për kultivimin e cannabisit. I vendosur u tregua edhe drejtori i policisë së Shkodrës Vehbi Bushati për ta luftuar këtë fenomen shqetësues. Në fund mbetet për t’u parë nëse këtë betejë do ta fitojnë njerëzit e krimit apo policia e shtetit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here