Shqipëria pret sot rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Një objektiv i kërkuar nga të gjitha qeveritë postkomuniste, i shumëpritur nga qytetarët shqiptarë, që presin me të drejtë të jenë qytetarë europian de jure.
Sot në orën 15:10 tek Europe House, Pallati i Kongreseve, ambasadorja Vlahutin mban një fjalim për mediat dhe fill pas kësaj në 15:30 kryhet lidhja live stream me Brukselin për shpalljen e raportit nga përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini.
Më pas raporti i printuar do i dorëzohet Kryeministrit, Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit. Por ajo që bie në sy është lëvizja e ambasadores në këtë trekëndësh Kryeministri-Presidencë-Kuvend.
Sipas planit, Ambasadorja do ecë më këmbë në Bulevard nga pallati i kongreseve drejt kryeministrisë e pastaj në Presidencë ku në orën 17:00 do zhvillojë takim me presidentin e Republikës, Ilir Meta e në fund në Kryesinë e Kuvendit ku do të takohet me kryetarin Gramoz Ruçi.
Po kështu gjatë ditës së sotme pritet të mbërrijë në Tiranë shefja për politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e cila do ketë disa takime që do zhvillohen nesër, pas dorëzimit të progres raportit të KE për hapjen e negociatave të anëtarësimit.