Kalvari i Shqipërisë, drejt oborrit të BE-së. Çfarë na pret pas hapjes së negociatave

0
751

Që nga instalimi i pluralizmit 27 vite më parë, Shqipëria ishte i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që u dha i tëri pas ëndrrës europiane. Parulla e studentëve, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, u bë e gjithë popullit dhe shpresat se brenda 5-10 viteve vendi ynë do të inkuadrohej plotësisht në klubin e BE-së ishte e madhe. Në fillimet e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, vendi ynë ishte shumë hapa më përpara edhe se vende të tjera ish-komuniste, të Europës Juglindore, që tashmë janë anëtare me të drejta të plota. Por instalimi i një klase politike që shumë shpejt u shndërrua në “bajloze” e korrupsionit bëri që vendi ynë, të përpëlitej për plot 27 vite në kalvarin e rrugës së integrimit, me pa të drejtë për popullin e saj.

Edhe nëse këto ditë jepet drita jeshile nga të gjithë vendet anëtare të BE, për të nisur negociatat për anëtarësim, rruga që na pret është sërish e gjatë dhe akoma edhe më e vështirë.

Pas hapjes së negociatave, Shqipërisë do ti jepen detyra të tjera specifike për të realizuar, ku më të vështirët janë kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, çështjet e brendshme, ekonominë dhe të drejtat e njeriut, ku më specifikja është e drejta e pronës. Këto do të kërkojnë disa vite, por sërish anëtarësimi me të drejta të plota mbetet larg. Pas plotësimit të këtyre detyrave, do të vazhdohet me kapitujt e tjerë, që përcaktojnë plane të detajuara për ta bërë vendin të gatshëm të përshtatet me sistemin ekonomiko-politik të vendeve anëtare të BE-së.

Më pas procesi vijon me mbylljen e kapitujve, që do të thotë se të gjitha vendet anëtare pa përjashtim, do të firmosin të bindur se Shqipëria i ka realizuar të gjitha kërkesat dhe ato kanë nisur të zbatohen realisht, jo në letër. Vetëm pas kësaj, vjen anëtarësimi i plotë. Kroacisë për shembull iu deshën rreth 8 vjet, që të bëhej anëtare që pas hapjes së negociatave, kurse për Shqipërinë kjo rrugë duket se do të jetë shumë herë më e gjatë dhe e vështirë.

Data dhe vite/ Kalvari i gjatë i Shqipërisë drejt derës së BE-së

1992 – Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Shqipëria përfiton financime nën programin “Pare” të BE-së.
1997 – Qasja rajonale. Këshilli i Ministrave i BE-së vendos kushtëzimin politik dhe ekonomik për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.
1999 – Shqipëria përfiton nga Preferenca Tregtare Autonome me BE-në.
1999 – BE-ja propozon një proces të ri të Stabilizim-Asociimit (SAP) për pesë vende të Europës Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë.
Qershor 2000 – Këshilli Europian në Feira thotë që të gjitha vendet e SAP janë “kandidate potenciale” për anëtarësim në BE.
Nëntor 2000 – Takimi i Zagrebit lançoi Marrëveshjen e Stabilizim –Asocimit (SAP) për pesë vende të Europës Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë.
2000 – Zgjerimi i hyrjes pa doganë në tregun e BE-së për prodhimet “made in Albania”.
2001 – Komisioni rekomandon ndërmarrjen e negociatave për MSA me Shqipërinë. Këshilli Europian i Goteborgut fton Komisionin të paraqesë draftin e direktivave për negocimin e SAA.
2001 – Viti i parë i programit “Ndihmë Komunitare për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim” (CARDS) i projektuar posaçërisht për vendet në proces stabilizim-asocimi.
Tetor 2002 – U miratuan direktivat e negocimit të SAA-së.
Janar 2003 – Presidenti i Komisionit Romano Prodi hapi zyrtarisht negociatat për SAA-në midis BE-së dhe Shqipërisë.
Qershor 2003 – Procesi i Stabilizimit dhe Asocimit (SAP) u konfirmua në Këshillin Europian të Selanikut si politikë e BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Qershor 2004 – Këshilli vendosi mbi partneritetin e parë europian për Shqipërinë.
Janar 2006 – Këshilli rishikoi partneritetin europian me Shqipërinë.
Maj 2006 – Hyrja në fuqi e marrëveshjes së ripranimit KE-Shqipëri.
Qershor 2006 – Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (SAA) në Çështjet e Përgjithshme dhe Marrëdhënieve me Jashtë me Këshillin në Luksemburg.
Dhjetor 2006 – Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Përkohshme.
Janar 2007 – Hyn në fuqi instrumenti i ri për paraanëtarësimin (IPA).
Maj 2007 – Adoptimi i Dokumentit të Planifikimit Shumëvjeçar Indikativ
Shtator 2007 – Nënshkrimi i marrëveshjes për lehtësimin e vizave midis Shqipërisë dhe BE-së.
18 tetor 2007 – Shqipëria nënshkruan Marrëveshjen Kuadër për IPA-n
Janar 2008 – Marrëveshja e lehtësimit të vizave hyn në fuqi.
22 janar 2008 – Shqipëria dhe KE-ja nënshkruajnë Marrëveshjen Financiare për Instrumentin për Paraanëtarësimin (IPA programi).
Mars 2008 – Nis dialogu për liberalizimin e vizave.
Qershor 2008 – Komisioni Europian paraqet udhërrëfyesin identifikuese me kërkesat specifike për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.
1 prill 2009 – Hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit (MSA).
28 prill 2009 – Shqipëria dorëzon aplikimin e saj për anëtarësim në BE.
15 prill 2010 – Shqipëria dorëzon përgjigjet e Pyetësorit të Komisionit.
27 maj 2010 – Komisioni Europian miratoi një propozim mundësues për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës për të udhëtuar në vendet e Shengenit pa pasur nevojë për një vizë afatshkurtër.
24 qershor 2014-Këshillit i ministrave i BE-së mori vendimin për dhënien Shqipërisë statusin e vendit kandi

17 prill 2018, Koomisioni i Këshillit të BE jep për Shqipërinë rekomandimin për nisjen e negociatave për anëtarësim, pavarësisht nga rezervat e shumta për luftën kunër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here