Rekomandimi per çeljen e negociatave, Komunitetet fetare apel klases politike, shoqerise dhe diplomacise se huaj

0
627

Rekomandimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë nga Bashkimi Europian, ka nxitur daljen në një deklaratë të përbashkët të Kishës Katolike, komunitetit mysliman, Kishes Ortodokse, Kryegjyshates botërore te bektashinjëve dhe Vëllazërise Ungjillore. Duke shprehur përgëzimet për popullin shqiptar, e duke vënë theksin tek vokacioni Europian i Shqipërisë, e cila i përket natyrshëm këtij komuniteti, ata theksojne:

“Ne besojmë se liria e fjalës dhe e besimit, familja, paqja, solidariteti, janë vlera mbi të cilat mbështetet edhe shoqëria jonë, që aspiron të jetë pjesë e familjes evropiane. Ne Komunitetet fetare në Shqipëri ofrojmë një model të harmonisë dhe të vëllazërimit, si një shërbim ndaj njeriut, shoqërisë dhe ndaj aspiratave të ligjshme të popullit tonë, ndër të cilat është edhe hyrja në familjen evropiane. Kjo harmoni dhe ky model është një pasuri që ne sjellim dhe mbartim me vete në rrugëtimin tonë drejt Evropës dhe është një e mirë për vetë shtetet që sot përbëjnë këtë organizim politik e shoqëror. Shumë herë është theksuar që kjo është një vlerë e çmuar e jona. Për këtë ne jemi të gëzuar dhe entuziastë dhe jemi gjithashtu të angazhuar ta promovojmë në çdo rast dhe kudo, duke punuar që ajo të mos cenohet, as nga faktorë të brendshëm e as nga nxitje keqdashëse të jashtme”.

Një thirrje të veçantë ata ja drejtojnë politikes Shqiptare, e cila ka rolin kryesor në këto proçese.

Të vazhdohet puna me përkushtim nga ana e të gjithëve për përmbushjen e standardeve që duhen për të qenë pjesë e Evropës. Në mënyrë të veçantë duam të theksojmë përpjekjet për reformën në drejtësi, për të cilën kemi pasur rast të flasim edhe në deklarata tona të mëparshme. Po ashtu lufta ndaj korrupsionit dhe ndaj varfërisë së shqiptarëve. Nuk duhen mbyllur sytë ndaj shtresave në nevojë, ndaj punësimit të të rinjve dhe subvencionit të familjeve në vështirësi, nëpërmjet skemave të drejta të asistencës sociale. Prosperiteti ndërtohet me punë dhe duhet të intensifikojmë përpjekjet që kreativiteti dhe energjia e rinise shqiptare, si edhe kontributi i sipërmarrësve tanë, të vlerësohen e inkurajohen. Në këtë mënyrë do të ndalet hemorragjia e shumë të rinjve dhe familjeve drejt vendeve të tjera, por edhe dëshpërimi që kaplon shpesh të rinj e të reja të vendit tonë. Duhet të nxisim e të japim shpresë për të ardhmen në vendin tonë. Duhet të bëjmë detyrat mirë që më pas kryelartë të kërkojmë mbështetje nga të gjitha vendet e Evropës.

Edhe ndaj kancelarive europiane, kreret e komuniteteve fetare kanë porositë e tyre.

Nëpërmjet ambasadave të tyre, të akredituara në Tiranë, ne u kërkojmë shteteve anëtare të BE që të mbështesin akoma më fuqishëm këtë proces. Është në të mirën e Evropës që edhe shqiptarët, e pse jo i gjithë Ballkani perëndimor, të jenë pjesë e saj. Ne shqiptarët jemi pjesë e Evropës dhe sigurisht pa njëri-tjetrin jemi mangut: ne pa Evropën dhe Evropa pa ne. Na bashkon një histori më e gjatë se sa e këtyre dekadave të fundit. Është një histori mijëravjeçare dhe janë rrënjët e përbashkëta kulturore e shoqërore që ne kemi e që na lidhin. Ne ju bëjmë thirrje përzemërsisht, por me vendosmëri, që të mbështesni hapjen e negociatave dhe sa më shpejt edhe anëtarësimin në BE të vendit tonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here