Gjyqtari amerikan flet për vizitën në Shqipëri dhe si e sheh reformën në drejtësi

0
451

 

Në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’ anëtari i Gjykatës së Lartë të Los Anxhelosit, Stephen Czuleger ka folur për sistemi gjyqësor në Shqipëri dhe faktin se pse është kaq i korruptuar dhe jofunksional. Stephen Czuleger është pjesë e një programi Fulbright që synon të mbështesë brezin e ri në sistemin shqiptar të drejtësisë. Ai tha se është i impresionuar me ndryshimet që po bëhën në Shqipëri si dhe me reformën në drejtësi.

Cilat janë disa nga konceptet bazë që synoni të prezantoni tek studentët shqiptarë të juridikut?

Gjykatësi amerikan: Sigurisht që studentët shqiptarë i dinë shumë nga konceptet bazë. Dua të flas sa më shumë të jetë e mundur për rëndësinë e një sistemi juridik të pavarur, rëndësinë e sundimit të ligjit dhe më pas do të zgjerohem për të drejtën penale, civile, për çështje të tjera me të cilat ata do të përballen në jetë, kur të bëhen juristë apo gjyqtarë.

Cilat janë arsyet që sistemi gjyqësor në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor është kaq i korruptuar dhe jo funksional?

Gjykatësi amerikan: Asnjë sistem nuk është i përsosur. Kur kam qenë herë të tjera në Shqipëri kemi folur shumë për korrupsionin dhe u ndjeva disi në siklet të flisja për këtë çështje. E thashë hapur nuk jam këtu për të ofenduar vendin tuaj por e di se ka shumë probleme me korrupsionin. Studentët ishin shumë të gatshëm të flisnin për korrupsionin. Asnjë sistem nuk është pa korrupsion. Ai ekzistonte edhe në sistemin tonë të drejtësisë në SHBA dekada më parë, por tani nuk është më. Sistemi në Shqipëri është i ri, ai erdhi pas komunizmit por është një problem në rritje dhe që të gjithë shqiptarët duan ta zgjidhin, qeveria po ashtu. Është një proces që kërkon kohë. Njerëzit duhet të kenë besim në sistemin e tyre të drejtësisë dhe sigurisht korrupsioni e pengon këtë.

Disa nga gjykatësit dhe prokurorët që do të takoni mund të jenë disa nga zyrtarët më të korruptuar në Shqipëri. Çfarë do t’u thoni atyre?

Gjykatësi amerikan: Jam i gatshëm të tregohem i hapur. Herën e fundit që isha në Shqipëri pata një takim me një grup gjyqtarësh dhe vura re se një grup të vjetërish ishin më pak të gatshëm për ndryshime se të rinjtë. Në biseda me ambasadën amerikane, mora të njëjtat shqetësime mbi korrupsionin në Shqipëri dhe ishin pesimist se gjërat do ndryshonin. Unë jam më optimist. E para gjë që duhet të pranosh është fakti se korrupsioni është problem. Nëse nuk e pranon problemin e korrupsionit atëherë nuk do ta zgjidhësh dot. Mendoj se Shqipëria e pranon se ka një problem dhe kur e pranon këtë, zgjidhja është thjesht një proces. Jam pozitiv për procesin juridik dhe për shqiptarët, pasi mendoj se ata duan ndryshimin.

Ka një reformë gjyqësorë në Shqipëri me atë që po quhet vetting. A jeni njohur me këtë reformë dhe mendoni se shqiptarët mund të shpresojnë qe kjo reformë do ketë sukses?

Gjykatësi amerikan: Po. Unë mundohem të ndjek zhvillimet në Shqipëri sa kam mundësi dhe mund të them se jam i impresionuar. Kur isha atje 3 vite me parë diskutimet për reformën sapo kishin nisur dhe shoh se ajo ka filluar. Lexoj lajme për gjyqtare që nuk pranojnë të kalojnë përmes vettingut dhe shoh gjyqtarë te shqetësuar. Kjo është gjë e mirë. Jam i inkurajuar nga ky proces dhe shpresoj që ai të vazhdojë.

Ju keni qenë në Shqipëri më parë. Si e shihni brezin e ri? Kontaktet me studentët atje?

Jam shumë i impresionuar prej tyre. Ky do jetë udhëtimi im i katërt në Shqipëri. Djali im është me Korpusin e Paqes në Bajram Curri dhe ai i flet të dyja dialektet e shqipes dhe jept mësim në shkollën e mesme në Tropojë. Ai më thoshte se fëmijët duan të mësojnë. Herën e fundit që isha në Shqipëri dhashë mësim në Universitetin e Tiranës dhe vura re se të rinjtë janë të interesuar për dijen. Sistemi në Shqipëri mund të jetë i vështirë dhe ekonomia nuk është mirë, por pa shumë energji dhe jam i inkurajuar nga kjo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here