Vlahutin: Duhet të arrini standardet e BE në sjellje dhe rezultate

0
460

Shqipëria i meriton negociatat dhe duhet të punojë për t’i hapur ato. Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, pasi dorëzoi raportin në Komisionin e Integrimit u tha deputetëve se procesi nuk do të jetë i lehtë dhe nuk do të ketë asnjë dhuratë. Vlahutin u shpreh se në thelb nuk do të ketë asgjë për të negociuar por shqiptarët duhet të përafrojnë legjislacionin, sjelljen dhe rezultatet me standardet e Bashkimit Europian.

Pasi lexoi pikat kryesore të raportit, Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, u tha shqiptarëve se negociata janë një proces i vështirë dhe për këtë do të duhet të frikësohen pak.

Për t’u anëtarësuar në BE, Vlahutin u shpreh se duhet të arrijmë standardet në ligjislacion, sjellje dhe rezultate.

Vlahutin: Në një farë mënyre duhet të jeni paksa të frikësuar, sepse do jetë shumë e vështirë dhe shumë e thellë. Mendoj se duhet të bëheni gati për këtë. Këto quhen negociata por në thelb nuk ka asgjë për të negociuar. Më mirë t’i quaj bisedime për anëtarësim sepse ju duhet të përafroni jo vetëm legjislacionin por edhe sjelljen dhe rezultatet me standardet e BE.

Në lidhje me 5 prioritetet, pas pyetjes së deputetit të LSI, Petrit Vasili, Vlahutin u përgjigj se këto do të mbeten edhe pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.

Vlahutin: Absolutisht që ngelen si prioritete. Do të jenë prioritete absolute gjatë negociatave por edhe pasi vendi të anëtarësohet në BE.

Në fjalën e tij, deputeti socialist Bledar Çuçi vlerësoi punën e qeverive në 20 vitet e fundit, edhe pse sipas tij opozitat e këtij vendi gjatë kësaj kohë nuk kanë punuar si duhet.

Çuçi: Absolutisht të gjitha qeveritë të paktën në 20 vitet e fundit kanë kontribuar përkundër ndoshta opozitave në kohë të ndryshme që nuk kanë pasur një sjellje të njëjtë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se raporti nuk është aq pozitiv për Shqipërinë duke përmendur krimin dhe drogën.

Alibeaj: Statistikat tregojnë këtë gjë: Trend në rritje të krimeve që lidhen me prodhimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike.

Aludimit se rekomandimi u dha si dhuratë për Shqipërinë pasi nuk e meritonte, i dha përgjigje ambasadorja Vlahutin. Ajo tha se në këtë proces nuk ka dhurata.

Vlahutin: Nuk ka dhurata në këtë proces. Ju lutem mos mendoni se gjatë të gjithë procesit të anëtarësimit, do të merrni ndonjë dhuratë. Ky është një proces shumë kirurgjikal.

Vlahutin u shpreh se Shqipëria do të ketë sukses në këtë proces më shpejt sesa vonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here