Kuvendi i PD miraton të dielën statutin, kritiket braktisin Bashën

0
580

Të dielën Lulzim Basha, do të bojkotohet nga të gjitha figurat e rëndësishme të Partisë Demokratike që përgjatë vitit të fundit kanë qenë kritikë me të, përveç Eduard Selamit i cili u përball me të për kreun e kësaj force politike.  Selami ka konfirmuar pjesmarrjen në Kuvendin Kombëtar, ndërsa ka kërkuar të flasë para delegatëve.  Ndërkohë edhe pse dy ditë më parë janë ftuar zyrtarisht për të marrë pjesë Jozefina Topalli, Arben Imami, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Majlinda Bregu nuk do të bëhen pjesë e punimeve të forumit më të rëndësishëm të demokratëve.

Ish-deputetët, kritikë me Lulzim Bashën, do të bojkotojnë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

I vetmi që ka qasje të ndryshme nga ish kolegët, është  Eduard Selami, i cili garoi në 22 korrik përballe Lulzim Bashës, për kreun e Partisë Demokratike.

Zoti Selami jo vetëm që ka konfirmuar pjesmarrjen, por ka kërkuar të drejtën e fjalës para delegatëve për të folur për statutin dhe problemet e brendshme në këtë forcë politike.

Pjesë e Kuvendit Kombëtar do të jetë dhe ish-funksionari i lartë i Partisë Demokratike Besnik Mustafaj, ndërsa ish-deputetët  Jozefina Topalli, Arben Imami, Ridvan Bode, Astrit Patozi dhe Majlinda Bregu, bojkotin e arsyetojnë duke theksuar se axhenda e këtij Kuvendi nuk parashikon diskutime për statutin dhe nuk ekziston mundësi që ata të marrin fjalën para delegatëve.

Por burime pranë Partisë Demokratike theksojnë se është statuti që i mundëson çdo pjesmarrësi të flasë në Kuvend, ndërsa i cilësojnë pretendimet si alibi për mospjesmarrje.

Ndryshe nga kuvendet që kemi parë në vitet e shkuara, formati i këtij të  29 prillit duket krejt ndryshe, i ngjashëm me protestat në bulevard.

Burimet pranë grupit organizator, theksuan se të parët në Kuvend do të flasin qytetarët të cilët do të sjellin historinë e tyre personale dhe pakënaqësinë ndaj qeverisë.

Më pas pritet të flasë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili do të paraqesë tezat e tij për Partinë Demokratike dhe platformën e tij për rikthimin në pushtet.

E në fund do të jetë Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, i cili do të lexojë statutin për ta hedhur në votim para rreth 7.500 delegatëve.

Po të njëjtat burime saktësuan se parashikohet që Kuvendi statutor të mbyllë punimet brenda 4 orëve.

Pas miratimit të statutit, Partia Demokratike do të nisë një proces ristrukturimi të thellë në bazë, nga seksionet e deri tek kryetarët.

Pas zgjedhjeve në të gjitha degët e saj në vjeshtë, Partia Demokratike do të mbledhë Kuvendin Zgjedhor për të votuar organet drejtuese të saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here