Vetingu në drejtësi: bilanci, vonesat dhe pritshmëritë 2018

0
667

ISP është duke monitoruar ecurinë e procesit të vetingut dhe reformës në drejtësi. Zyrtarët e lartë politikë flasin për rezultate kontradiktore, një palë akuzon vetingun si spastrim politik, pala tjetër thotë se është bërë vlerësimi i shumicës së trupës gjyqësore dhe të prokurorëve për institucionet kryesore të drejtësisë.

Të dhënat e ISP dhe që janë edhe të dhënat zyrtare të bilancit të deritanishëm të vetingut janë reale dhe përgjigje për secilën palë: nga të dhënat, 10 prokurorë, gjyqtarë e ndihmës gjyqtarë kanë dhënë dorëheqjen, dy prej të cilëve për arsye të moshës në prag të pensionit. Vetëm pesë raste janë shqyrtuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, nga të cilët vetëm 1 gjyqtare e ka kaluar me sukses testin e vetingut; 1 është në proces vlerësimi dhe 3 janë rrëzuar. Të gjitha rastet e rrëzimit lidhen me njërin prej tre komponentëve të vlerësimit, – pasurinë financiare, ndërkohë që nuk ka ende ndonjë emër të vlerësuar negativisht për dy komponentët e tjerë, – integriteti dhe profesionalizmi.

Ecuria e procesit të vetingut është pozitive, por e ngadaltë, – çdo dosje merr mesatarisht 7 ditë kohë, dhe për pasojë, mbi 80 dosjet prioritare nëse vijojnë me këtë ritëm do të marrin më shumë se 1./5 vjet kohë kalendarike. Vlen gjithashtu të theksohet fakti se një pjesë e gjyqtarëve e prokurorëve të rrëzuar do ta apelojnë vendimin ndaj tyre, duke kërkuar kohë tjetër paralele vlerësimi. Për pasojë, strukturat e KLGJ, KLP, KED dhe më pas strukturat që pasojnë vendimmarrjen e tyre, GJK, GJK, SPAK, etj, mbeten ende larg pritshmërive dhe prognozave optimiste. Për të bërë një vlerësim të procesit në qershor, kur edhe Gjermania, Franca e Holanda do të japin votën e tyre në përgjigje të aplikimit të Shqipërisë, – do të duhet të ketë përfunduar procesi i vetingut për strukturat kryesore të drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe kandidatët për SPAK dhe për gjyqtar në Strasburg. Kjo mund të arrihet vetëm nëse KPK punon me katër komisione paralele, siç edhe është pritshmëria ndaj tij, – dhe nëse një pjesë e madhe e kandidatëve rezultojnë pozitiv në vlerësim.

Përgjegjësia e ecurisë së vetingut është direkt e strukturave të reja të tij, KPK dhe KPA, por indirekt edhe e strukturave të tjera, përfshirë ato legjislative e ekzekutive. Kuvendi ende nuk ka ngritur strukturën monitoruese dhe koordinuese të procesit të reformës në drejtësi, kurse ekzekutivi vonoi për një periudhë të gjatë pajisjen me mjedise pune, mjete financiare e personel, strukturat e vetingut. Nga ana tjetër, presionet politike direkt dhe indirekte, të ardhura edhe përmes deklarimeve politike apriori pro e kundër, kanë pasur dhe vijojnë të kenë ndikim negativ në ecurinë, besueshmërinë dhe shpejtësinë e procesit kompleks të reformës në drejtësi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here