Qeveria nxjerr vendimin, ja sa duhet të jetë mesatarja për pranimet në universitetet publike

0
1135
Të gjithë ata që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në një prej institucioneve të arsimit të lartë në vend për vitin akademik 2018-2019, për nivelin bachelor duhet të kenë një mesatare mbi 6-të. Ky vendim është marrë nga Këshilli i Ministrave në të cilin përcaktohet qartë mënyra e përllogaritjes së notës mesatare. “Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ose për të transferuar studimet në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve, në institucionet e arsimit të lartë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim”,-theksohet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.

Ndërkohë nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Ashtu siç është deklaruar edhe më parë nga Ministria e Arsimit, për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë, për vitin akademik 2018–2019, nota mesatare e përllogaritur, sipas këtij vendimi, të jetë nota 7. Ndërkaq, programet e studimit të fushës së mësuesisë janë të paracaktuara e nota mesatare për pranimin në programet e mësuesisë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve në këtë vendim, shkruan Gazeta Shqiptare.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave theksohet, gjithashtu thuhete, se kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në vendim. “Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore”,-thuhet në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë do të kryhen në Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Më tej në vendim bëhet me dije se në rastet kur nuk aplikohen provimet e Maturës Shtetërore, komisioni përkatës përcakton mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Ky komision ka për detyrë të dërgojë të dhënat te njësia arsimore përkatëse.

Ja vendimi pwr noten mesatare sipas programeve

-Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, nota mesatare për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ose për të transferuar studimet në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2018-2019, të jetë nota 6 (gjashtë)
-Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë, për vitin akademik 2018–2019, nota mesatare e përllogaritur, sipas këtij vendimi, të jetë nota 7 (shtatë)
– Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në pikën 2, të këtij vendimi.
– Në rastet kur nuk aplikohen provimet e Maturës Shtetërore, komisioni përkatës përcakton mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës dërgon të dhënat te njësia arsimore përkatëse

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here