U mbushën 34 vjet pa Loro Boriçin, korifeun e futbollit shqiptar

0
1243

Si sot, 34 vite më parë, u nda nga jeta i madhi Loro Boriçi, një ndër figurat më të mëdha të futbollit shqiptar. Futbollist elitar, trajner i madh, profesor dhe mendimtar i futbollit shqiptar, ndoshta më i madhi i të gjithëve…

Loro Boriçi vdiq parakohe, më 25 prill 1984, në moshën 62-vjeçare, nga një sëmundje e rëndë, tumor në mushkëri, ndonëse ishte në një moshë jo shumë të vjetër.

Në sëmundjen e tij mund të ketë ndikuar shumë cigaret e shumta që ai tymoste. Në fakt, për kurimin e tij jashtë vendit, gjë për të cilën në atë periudhë kërkohej leje speciale e rezervuar për shumë pak shqiptarë, ndërhyri vetë Ramiz Alia.

Si shkodran që ishte, kreu i shtetit dha urdhër që Loros t’i bëheshin të gjitha përkujdesjet e mundshme për përmirësimin e shëndetit. Por, megjithëse u dërgua jashtë për kurim, ai nuk mundi të shpëtonte dot.

Trajneri Loro Boriçi dhe homologu i tij i RFGJ, Helmut Schon, viti 1967

Karriera e tij është e gjatë dhe e lavdishme. Tituj sportivë të shumtë, “Mjeshtër i Merituar”, “Nderi i Sportit Shqiptar”.

Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të Parë, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, Medalje e Argjendtë në Lojrat e Ushtrive të Lindjes (Hanoi, 1963), Fitues i anketës “Sporti Popullor”.

Fitues i Kampionatit Ballkanik 1946. 80 ndeshje ndërkombëtare , nga të cilat 24 i ka luajtur me ekipin e Kombëtares, ku ka shënuar 6 gola në harkun kohor 22.08.1946 – 15.09.1957.

Sukseset e tij janë të panumërta. Si lojtar me Partizanin: Fitues i Kampionatit Kombëtar 1949 dhe 1954. Fitues i Kupës së Republikës 1949.

Si trajner me Partizanin: Fitues i Kampionatit Kombëtar 1963/1964/1971. Fitues i Kupës së Republikës 1964/1966/1968/1970. Kampion Ballkani midis klubeve, “Partizani” 1970, kampion Ballkani me Shpresa. Medalje e argjendtë në Lojërat e Ushtrive të Lindjes (Hanoi) 1963.

Si trajner, veç Partizanit, ka trajnuar Kombëtaren e të Rinjve, Shpresat , Kombëtaren e Shqipërisë, Kombëtaren e Kinës.

Ai është emblema e ekipit të madh të Partizanit në vitet 1949 deri në vitin 1957, ku në rolin e qendërsulmuesit që bombardonte portat kundërshtare dhe trajnerit i solli skuadrës kryeqytetase një varg kupash të kampionatit e të Kupës së Republikës.

Sulmues gati 190 cm, elegant, potent, teknik, thjeshtësi intrepertimi, lojtar skuadre, klas, kapiten. Lojtar me peshë në fushë. Lider i lindur.

Me emrin e tij në sferën e trajningut lidhet fitimi i medaljeve të argjendta në turneun e Hanoit, në fitimin e Kupës Ballkanike me Partizanin në vitin 1970.

Ai është trajneri i madh i përfaqësueses shqiptare, që sigloi rezultatet sensacionale me Irlandën e Veriut 1-1 në Tiranë në vitin 1965, barazimin “varrmihës” ndaj RFGJ-së së Helmut Shënit në vitin 1967, që solli eliminimin e nënkampiones së botës nga finalet e Kampionatit Europian të Romës në vitin 1968.

Apo i fitores së thellë 3-0 ndaj skuadrës përfaqësuese të Turqisë në vitin 1971. Boriçi është njeriu i Kinës, në mesvitet 1970, ku dha një ndihmesë të madhe në zhvillimin e futbollit kinez me stërvitjet, leksionet e drejtimin e skuadrave kineze.

Dhe kinezët ia ditën shumë lektorit, pedagogut e njeriut që shkriu gjithçka nga jeta e tij në ato vite. Ato befasoheshin për orët e shumta që ai punonte gjatë tërë ditës.

Si trajner i përfaqësueses zhvillon 20 ndeshje zyrtare, ku nuk u shpëton disa shkarkimeve, pas humbjeve me danezët dhe gjermanët (1963, 1981) nga viti 1957 e deri në vitin 1981.

Eshtë i dyti nga numri i ndeshjeve të zhvilluara dhe pikëve të grumbulluar (8 pikë) bashkë me Shyqyri Rrelin. Pas dy ndeshjeve të mëdha të Shqipërisë me RFGJ në vitin 1967 (0-0) dhe 1971 (0-1), trajneri i përfaqësueses gjermane do të shprehej:

“Unë dua t’i bëj një kompliment shumë të madh skuadrës shqiptare dhe trajnerit të saj, kolegut tim Loro Boriçi. Edhe një herë komplimente për Shqipërinë e futbollin shqiptar dhe për skuadrën e tij të mirë.” (17 shkurt 1967, Tiranë).

Suksesi më i madh i Loros është ndeshja që është komentuar më shumë, ajo e 17 dhjetorit 1967 ndaj përfaqësues së Gjermanisë, kur skuadra jonë arriti të ndalë skuadrën gjermane, duke barazuar 0-0 dhe duke e larguar atë nga Evropiani i vitit 1968, kur ajo vinte si nënkampione e botës.

Loro Boriçi pa dyshim është trajneri më jetëgjatë dhe më i suksesshëm i skuadrës kombëtare shqiptare.

Panajot Pano ka thënë fjalë zemre për Loro Boriçin, duke e cilësuar se ishte unikal dhe të gjithë donin që t’i ngjanin atij.

“Nuk kishte futbollist të kohës sime që nuk donte t’i ngjante sadopak Loro Boriçit. Ai kishte qenë ndër të paktët që kishte luajtur jashtë vendit në Itali dhe ndër të paktët që kishte mundur të luante me skuadra të suksesshme të kohë,s si Vllaznia dhe Partizani.

Ai më grumbulloi në skuadër në ndeshjen me Bullgarinë dhe që nga ai moment pati një lloj lidhje shpirtërore midis nesh edhe pse për seriozitetin që kishte, mundohej të fshihte ndjenjat e tij të vërteta. Ai i dedikoi gjithçka kësaj loje.

Them se Boriçi është unikal dhe nuk do të ketë një person që të bëjë aq shumë për sportin. Ç’është e vërteta, ne luanim me gjithë shpirt për ekipin kombëtar, pasi e kishim në gjak futbollin dhe na pëlqente shumë.

Por ai ishte gjithmonë një hap para nesh jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Loro Boriçi është padyshim për mua një nga njerëzit më dinjitozë që ka pasur futbolli ynë.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here