Vito Kapo, ish-anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së, shoqe me Liri Belishovën në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” të Tiranës shprehet se ajo bashkëpunoi gjatë gjithë jetës së saj me sovjetikët. E pyetur nga “Panorama”, ish-bashkëshortja e Hysni Kapos, edhe pse nuk donte të fliste shumë për Liri Belishovën, ditën që ajo ishte ndarë nga jeta, kujton se Belishova kishte kërkuar eliminimin e Hysni Kapos për të shpëtuar Enver Hoxhën.

Për Vito Kapon, Liri Belishova ishte një grua e zgjuar, e cila u spikat në drejtimin e rinisë komuniste në Tiranë dhe më pas në Kongresin e Rinisë në Berat, ku u evidentua dhe nga bashkëshorti i ardhshëm, Nako Spiru. Liri Belishova, në vlerësimin e Vito Kapos, doli me rezultate të mira dhe në Shkollën e Partisë që bëri në Moskë.

Por, sipas zonjës Kapo, e cila u angazhua në formacionet partizane, fillimisht si sekretare e Enver Hoxhës pranë Shtabit të Përgjithshëm në Helmës dhe Odriçan, në nëntor 1944 gjer në maj të 1945 në Komitetin Qendror të PK-së dhe e ngarkuar me Bashkimin e Grave Antifashiste Shqiptare, shprehet se Liri Belishova nuk u bë asnjëherë pjesë e formacioneve partizane në mal, por ka punuar vetëm me organizimin e rinisë antifashiste.

Zonja Kapo, mund të na jepni një opinion tuajin për Liri Belishovën, si e keni njohur dhe çfarë vlerësimi keni ju për të?

Çfarë vlere ka opinioni im në këtë moment?!

Të gjithë kanë mbresa për njerëzit, me të cilët kanë punuar dhe kanë ndarë momente të aktivitetit të tyre…

Liria e zgjuar ka qenë. Por Liria kaloi me sovjetikët dhe mbeti me ta deri sa ishte gjallë.

Ju i qëndroni opinionit zyrtar të asaj kohe që ajo ishte bashkëpunëtore me sovjetikët, edhe pse opinione ka se ka qenë ndërhyrje e kinezëve për të prishur marrëdhëniet me sovjetikët?

Jo, mor bir… Ajo kërkoi eleminimin e Hysniut për të shpë- tuar Enverin nga influenca e tyre… Ajo mbeti ma ta deri në fund dhe kjo e dënoi në mënyrë të rëndë Lirinë.

Ju keni qenë bashkë në luftë me Liri Belishovën?

Liria nuk ka qenë në luftë. Ajo ishte më e re. Liri Belishova ka marrë pjesë në demonstrata, aty humbi dhe syrin, kishte punuar me rininë në Tiranë dhe në Kongresin e Rinisë u evidentua nga Nakua. Kjo është historia e saj.

Ju thoni se nuk ka qenë pjesë e formacioneve partizane, kompanive apo brigadave partizane?

Jo, jo, asnjëherë nuk ka qenë në formacionet partizane në mal. Por Liria ka qenë e zgjuar.

Por ka qenë dhe e guximshme që shprehej dhe jepte mendimin e saj, edhe kur udhëheqja nuk e pëlqente?

E guximshme s’mund të them, por në Shkollën e Partisë në Moskë doli mirë.

LEAVE A REPLY