Greqi – Shqipëri, “lufta” e bimëve medicinale

0
964

Ditët e fundit policia greke ka njoftuar në vazhdimësi për raste të arrestimit të shtetasve shqiptarë që janë kapur duke mbledhur apo transportuar sasi të mëdha bimësh medicinale në brendësi të territorit grek.

Arrestimet ndërkaq konsiderohen si sporadike dhe media vendase thotë se mbledhja e paligjshme e këtyre bimëve nga fqinjët shqiptarë është shndërruar në një fenomen të zakonshëm vitin e fundit.

Më shumë se sa shkelje e legjislacionit për zonat pyjore apo kalimin ilegal të kufirit, vlerësohet si jashtëzakonisht i madh dëmi ekologjik por edhe financiar që i shkaktohet Greqisë. Bëhet fjalë për bimë, disa prej të cilave të rralla, që sipas mediave greke shiten në tregun e jashtëm deri në 50.000 euro kilogrami.

Ndër këto bimë janë çaji i malit, rigoni, trumëza, aguliçja, gentiana, etj.

Aktivistë të një organizate greke që merret me ruajtjen e dhisë së egër, postuan në faqen e tyre të Facebook-ut, fotografi të shkrepura në malin Gramoz, në pjesën greke.

“Balkan Chamois Society” thotë se “nëpër pllajat e malit u numëruan të paktën 20 shqiptarë duke mbledhur, tharë apo transportuar “arin e lulëzuar” (Primula veris), 20 mushka dhe gomerë të ngarkuar apo në pritje, si dhe të paktën dy çadra provizore të ngritura në territorin grek”.

Kjo çështje është shtruar ditët e fundit edhe në parlamentin grek, nga deputeti i partisë To Potami, Jorgos Amyras, i cili ka kërkuar interpelancë me ministrin e mjedisit.

“Ajo çka është kriminale, është se ata nuk i këpusin këto bimë, por i shkulin me rrënjë, me rezultat të mos mbijnë më dhe të zhduken. Aksesi nga Shqipëria fqinje është mjaft i lehtë, pasi disa fshatra janë vetëm 15 minuta me këmbë dhe vizitorët e paligjshëm kanë mundësinë që të hyjnë e të dalin pa u shqetësuar”, nënvizon deputeti grek dhe vazhdon:

“Ekologët thonë se bimët aromatike të malit Gramoz thuajse janë zhdukur dhe e gjithë kjo çështje përbën edhe rrezik për shëndetin publik. Pasi bashkë me bimët medicinale ata mbledhin çdo bimë që ndodhet aty afër, me pasoja të mundshme për konsumatorët”.

Edhe pse mbledhja e bimëve medicinale ndalohet me ligj dhe nevojitet leje e posaçme nga shërbimi pyjor i zonës, vetëm për lloje të caktuara dhe sasi të caktuar, vetëm nga zona e Prespës mblidhen çdo vit 5 tonë çaj mali, përfundon deputeti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here