Thursday, April 18, 2024
Home Politikë Kokëdhima takim me diasporën në Greqi: Partitë e vjetra grupime parapolitike

Kokëdhima takim me diasporën në Greqi: Partitë e vjetra grupime parapolitike

0
592

Kreu i Partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima ka zhvilluar një takim me emigrantë shqiptarë në Greqi, duke theksuar se partitë e vjetra shqiptare ishin dhe mbeten grupime parapolitike dhe antidemokratike të kapura, që u shërbejnë një grushti njerëzish rreth kryetarëve autokratë të sundojnë.

Fjala e plotë: 

Pak më shumë se një vit më parë u takuam pikërisht në këtë sallë ku prezantuam lëvizjen tonë politike, “Zgjidhja”. Partitë e vjetra shqiptare ishin dhe mbeten grupime parapolitike dhe antidemokratike të kapura, që u shërbejnë një grushti njerëzish rreth kryetarëve autokratë të sundojnë, të shtypin e të vjedhin popullin shqiptar. Lëvizja jonë kishte për qëllim të reformonte nga brenda dhe nga poshtë fillimisht PS-në dhe paralelisht me këtë e më pas, edhe partitë e tjera dhe të gjithë sistemin politik, me qëllim që vendin e kësaj tiranie shtypëse të krimit dhe të korrupsionit që sundon sot mbi shqiptarët, ta zinte një qeverisje e aftë, demokratike dhe atdhetare.

Partitë e vjetra nuk kanë asnjë hapësirë për mendimin ndyshe, për meritën dhe njerëzit e zotë e të aftë. Ato u shërbejnë kryetarëve të tyre për të grumbulluar pasuri dhe pushtet. Ka shumë pak shqiptarë të pasuruar jashtë politikës dhe lidhjeve të shkurtra me të. Politikanët e lartë janë pasanikët më të mëdhenj të Shqipërisë. Kryetarët e partive të vjetra janë edhe kryeoligarkët e vendit. Në partitë e vjetra të shqipërisë bëjnë karrierë vetëm ata që vjedhin, korruptohen dhe kryejnë krime penale, servilët, të paaftët dhe koketat e kryetarëve.

Lëvizja jonë politike kishte qëllime të tjera. Ajo përfaqëson aspiratat e larta të qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë për liri, siguri, punë, dinjitet, barazi para ligjit, drejtësi dhe mirëqenie. Unë ju thashë juve se për të ndryshuar Shqipërinë ne kërkonim një rrugë të shpëjtë dhe racionale. Kjo ishte e pamundur. Axhendat tona nuk përputheshin. Rrugët tona ishin ndarë përfundimisht. Partitë e vjetra nuk reformohen. Punojnë kundër interesave të vendit. Ato duhen përmbysur me çdo kusht.

Natyrshëm erdhëm në vendimin e madh për themelimin e partisë “Zgjidhja” në 23 maj. Pas një muaji do festojmë në Tiranë, një vjetorin e themelimit të partisë “Zgjidhja” e cila do ta udhëheqë popullin tonë me vendosmëri e mençuri për të fituar mbi sfidat dhe sprovat e mëdha përpara të cilave na ka vënë historia. “Zgjidhja” është e vetmja shpresë për Shqipërinë.

“Zgjidhja” është parti politike moderne dhe demokratike me standarde të larta si partitë e ngjashme në vendet perëndimore që synon marrjen e pushtetit dhe vendosjen e tij në shërbim të popullit. Ajo ka për qëllim ta përmbysë këtë rregjim hibrid e qeverisje të kapur nga krimi dhe mafia që na sundon sot.

“Zgjidhja” mbështetet me përparësi te rinia, gratë dhe shqiptarët e diasporës së re. Këta të fundit janë pjesa më e mirë e Shqipërisë, më e kulturuar dhe më e edukuar, më punë torët, sakrifikuesit, patriotët, më trimat dhe më të zotët, palca dhe eshtra e pathyeshme e kombit tonë, që kaluan kufij pas kufijsh përmes vështirësive të panumërta, shumë herë pa letra, në këmbë e zbathur, pa bukë e pa ujë, në tufan e në stuhi, nëpër male, e kontinente; nëpër lumenj, dete e oqeane dhe mbijetuan.

Ata bënë çdo punë, fituan mbi rreziqet e panumërta, fituan edhe mbi përçmimin, përbuzjen, diskriminimin, shtypjen dhe racizmin; mësuan gjuhët e kulturën, por edhe shpërndanë e ruajtën me krenari traditat, vlerat, historinë dhe kulturën tonë. Në shumicën dërmuese merituan respektin e dashurinë e popujve të tjerë, u integruan dhe u përshtatën, shumë prej tyre bënë karriera të spikatura në tregjet dhe institucionet e botës mbarë. Ata lindën dhe rritën fëmijë shumë të mirë të cilët i edukuan me dashuri të zjarrtë për popullin dhe atdheun tonë, për gjuhën, kulturën dhe historinë e të parëve tanë. Të gjithë prindërit që iu mësuan gjuhën shqipe fëmijëve të tyre të lindur e të rritur në emigracion, do të kenë gjithmonë bekimin dhe ndihmën e Zotit!

Atdheu do ju mbetet mirënjohës për jetë për gjithçka ju bëtë këto 27 vjet për vendin tuaj. Diaspora jonë është kontribuesja më e madhe në krijimin e vlerave materiale e shpirtërore të shoqërisë shqiptare. Ajo ka dhënë gjithçka për vendin e vet, mundin, djersën, gjakun dhe shpirtin, ka mbajtur gjallë popullin dhe ekonominë tonë me paratë e saj, me investimet në blerjen e pasurive të patundshme e të tundshme, në biznese dhe me shpenzimet për turizëm e vizita në Shqipëri.

Diaspora ka financuar në më të shumtën e kohës me rreth 1 miliard dollarë në vit ekonominë e Shqipërisë vetëm përmes dërgesave të parave. Emigracioni shqiptar në Greqi ka dhënë historikisht dhe jep edhe sot kontributin më të madh. Në vitin 2016 nga shqiptarët e Greqisë erdhën në Shqipëri 463 milionë dollarë ndërkohë që nga Italia erdhën 382 milionë dollarë, kundrejt 77 milionëve të ardhura nga SHBA, 37 milionëve të ardhur nga Gjermania e kështu me rradhë.

Shqiptarët dhe grekët janë dy popujt më të vjetër të Ballkanit, jemi dy popuj vëllezër. Partia “Zgjidhja” kërkon marrëdhënie shumë të mira me Greqinë. Ne dëshirojmë të kapërcehen të gjitha problemet dhe mosmarrëveshjet e të shkuarës, në interes të ndërsjelltë, në respekt të reciprocitetit, të së vërtetës historike dhe të së drejtës, ligjeve dhe të praktikave të gjithëpranuara ndërkombëtarisht, pa neglizhuar, harruar dhe anashkaluar asgjë dhe pa krijuar asnjë problem të ri mes dy vendeve tona.

Marrëdhëniet e shteteve dhe qeverive tona janë në nivele shumë më të ulëta se miqësia dhe bashkëpunimi që ekziston mes popujve tanë në shekuj. Ne përshëndesim bisedimet, përpjekjet dhe vullnetin pozitiv të dy qeverive për t’u marrë vesh kohët e fundit duke shpresuar se pas kësaj do të hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet tona dhe mbi të gjitha do të lehtësohen problemet dhe vështirësitë e mëdha që ndeshin qindra mijë bashkatdhetarët tanë në Greqi.

Në këto bisedime larg mediave dhe pa asnjë transparencë nga qeveria jonë, u fol gjatë për të rënët në luftën Italo-greke, por duket se u harrua të flitej sa duhet për të gjallët shqiptarë që jetojnë në Greqi. U fol gjatë për marrëveshjen e detit dhe mirë u bë. Por nuk e dimë se çfarë u fol për marrëveshjen e pensioneve. Pa ndërhyrjen e politikës nuk përfitojnë dot pension ata që gjysmën e kohës kanë punuar në Shqipëri dhe gjysmën tjetër në Greqi. Marrëveshja për patentat do të duhej të qe zgjidhur vite më parë. Emigracioni pa dokumenta, pa leje qëndrimi është skllavëri. Qeveria jonë edhe sot ka përgjegjësi të asistojë këta shqiptarë të margjinalizuar.

Këto e çështje të tjera do të duhej të ishin pjesë e një axhende intensive bisedimesh mes dy qeverive tona ndër vite. Të mos harrojmë se emigracioni legal në Greqi ka rreth 400 mijë vetë, shifër kjo e barabartë me 2/3 e gjithë emigracionit të huaj në Greqi. Të drejtat e këtij emigracioni janë subjekt i organizmave dhe institucioneve europiane ku Greqia është vend anëtar. Braktisja që qeveria e Tiranës i ka bërë diasporës sonë është një krim i tmerrshëm. Shumë shqiptarë tashmë janë bërë shtetas grekë. Vetëm në vitin 2016 e fituan këtë 30 mijë prej tyre. Me këto ritme i bie që çështjet e shqiptarëve që flasim, brenda 10 viteve të mos kenë ekzistuar kurrë dhe vuajtjet e tyre t’i mbulojë koha sikur të mos kënë ndodhur kurrë.

“Zgjidhja” dëshiron marrëdhënie shumë të mira dhe miqësore me të gjitha vendet e Ballkanit. Edhe me Turqinë ne dëshirojmë marrëdhënie shumë të mira ndërshtetërore sepse ndajmë së bashku me të një trashëgimi të pazakontë kulturore e historike dhe kemi atje një komunitet me rreth gjashtë milionë shqiptarë, por pa afektuar negativisht në asnjë rast dhe për asnjë çast axhendën e integrimit europian dhe euroatlantik të Shqipërisë. Ne dëshirojmë që edhe marrëdhëniet mes Turqisë e Greqisë të jenë shumë të mira. Shqipëtarët, tashmë me dy shtete janë një faktor i rëndësishëm stabiliteti në Ballkan. I bëjmë thirrje qeverisë greke që të njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Shqipëria dhe Maqedonia vetëm pak ditë më parë kanë marrë ftesën e Komitetit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Ne kemi besim të plotë se Greqia do të sillet si një vend vëlla dhe nuk do ta shfrytëzojë aspiratën e popullit tonë për t’u integruar në familjen europiane dhe nevojën e Shqipërisë për mbështetje për ta kushtëzuar dhe për ta vënë atë në pozita të pabarabarta në negociatat për tejkalimin e problemeve të pazgjidhura mes dy vendeve tona. Ka ardhur koha që të gjitha shtetet e rajonit të çlirohen nga reminishencat e politikave të vjetra ndaj shqiptarëve.

Greqia u bë atdheu i dytë i rreth 600 mijë shqiptarëve. Emigrantët shqiptarë e meritojnë si askush tjetër që Greqia të sillet ndaj tyre me përgjegjësinë e plotë të atdheu të natyrshëm. Ju i keni dhënë Greqisë gjithçka, rininë, shpirtin, forcën dhe talentin krijues, sakrificat, mundimet tuaja të patregueshme dhe punën e jashtëzakonshme në çdo fshat, qytet, kantier, shtëpi dhe në çdo sektor të jetës dhe ekonomisë. Lidhjet tuaja me Greqinë tashmë janë jo vetëm ekonomike. Ato janë edhe lidhje kulturore, shoqërore, psikologjike dhe shpirtërore.

Ju i dhatë një kontribut shumë të rëndësishëm ekonomisë së këtij vendi, zhvilluat ndërtimin, bujqësinë, blegtorinë, turizmin, tregun e pasurive të patundshme dhe çdo degë tjetër, begatuat tregjet financiare dhe ato të punës. Prodhuat shumë pasuri për vendin tuaj të ri. Greqia e këtyre 30 viteve nuk ka kuptim pa veprën, sakrificat, kulturën dhe historinë tuaj. Trashëgimia juaj e paçmuar materiale, kulturore, shpirtërore dhe shoqërore do të jetë pjesë thelbësore e kujtesës historike, që do të shërbejë e ushqejë brez pas brezi në dekada e në shekuj miqësinë, bashkëpunimin, vëllazërinë dhe paqen mes dy popujve tanë. Qeveritë e të dyja vendeve duhet ta kenë shumë mirë parasysh këtë fakt.

Ndjej trishtim dhe keqardhje të madhe kur takoj të rinj e të reja dhe fëmijë shqiptarë që nuk dinë asnjë fjalë shqip. Dua t’u kujtoj prindërve të këtyre fëmijëve se një pjesë e madhe e arbëreshëve e ruajti dhe nuk e humbi gjuhën shqipe për 500 vjet edhe pse jetuan për shekuj me rradhë larg atdheut të tyre, pa mjete komunikimi, pa radio, gazeta, tv dhe internet. “Zgjidhja” vlerëson lart shëmbujt e shkëlqyer të mësuesve vullnetarë dhe të gjithë ata patriotë që kanë investuar dhe luftuar për t’u mësuar gjuhën dhe kulturën tonë fëmijëve në Greqi e në botë. Do e nderojmë gjithmonë dhe do e përjetësojmë veprën e këtyre shqiptarëve të mëdhenj të kohëve moderne.

Jemi një popull që kemi shumë arsye për t’u ndier krenarë për të shkuarën, trashëgiminë dhe gjuhën shqipe. Ndjenja e inferioritetit për përkatësinë dhe identitetin kombëtar u bën dëm të madh fëmijëve tanë. Kur i edukojmë kështu, gjithmonë ata do kenë një cen dhe boshllëk të ndjeshëm në personalitet, në shëndetin e tyre psikologjik, kulturor e moral, një vakuum të qënies që do e shoqërojë gjithë jetën vetëdijen e tyre. Gjuha amtare, kultura dhe krenaria kombëtare janë si një eliksir i rrallë për shpirtin e një populli, në kontekstin e sotëm të zhvillimeve multietnike dhe multikulturore.

Flisni shqip sa herë ta keni të mundur. Lexoni, dëgjoni dhe mirëmbani gjuhën shqipe. Mësojuni shqip fëmijëve tuaj. Në shtëpia me njëri tjetrin flisni vetëm shqip. Deklaroni pa asnjë kompleks identitetin tuaj shqiptar. Kur ta bëni këtë gjë të gjithë, do të jeni më shumë, do të ndihmoheni më shumë, më shumë edhe do të respektoheni.

Shqiptarët e mërguar janë dyfish të diskriminuar. Ata ndihen të braktisur nga shteti, qeveria dhe shërbimi ynë diplomatik. Diplomacia e partisë “Zgjidhja” do të përfaqësojë, ndërmjetësojë dhe mbrojë në çdo rast me vendosmëri çështjet e diasporës, nuk do të mendojë se si t’ua bëjë çdo vit më të shtrenjta shërbimet konsullore dhe çmimet e pasaportave. Ne do t’i kthejmë konsullatat, përfaqësitë dhe ambasadat shqiptare në avokatitë tuaja dhe në struktura efiçente të diplomacisë ekonomike për të sjellë kapitale, punë e zhvillim në vendin tonë.

Nga Shqipëria, prej vitit 1990 ka ikur rreth 40 për qind e popullsisë në emigracion. Ju i shpërthyet dyert e ambasadave dhe kufitë e shteteve me ëndrën europiane në gjoks. Ndërsa Shqipëria që latë pas u bë “toka e bajlozëve” të krimit dhe të korrupsionit që nuk i mban, nuk i njeh dhe nuk i do bijtë e bijat e saj. Ngado që ata shkojnë nëpër botë, i ndjekin pas nami i keq dhe “bëmat” e politikanëve tanë. Paragjykohen si njerëz që vijnë nga “Kolumbia e Europës”, nga një vend që nuk bën dot shtet dhe ku qeveria vjedh popullin e saj në çdo sekondë. Emigrantët tanë në të gjithë botën janë të zhgënjyer nga atdheu i tyre.

Tani kemi një ligj për diasporën të dekretuar pak ditë më parë. Ky është një zhvillim pozitiv edhe pse qeveria nuk ka strategji dhe vizion për diasporën. Prej gati një viti kemi edhe një ministër për diasporën. Përveç propagandës, deri tani nuk duket se po bëhet ndonjë punë reale. Këto i shërbejnë qeverisë për PR, për të manipuluar opinionin publik. Qeveria ka ministrin, por nuk ka asnjë projekt real dhe buxhete të destinuara për të përmirësuar rolin e diasporës shqiptare për mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, apo për eksportin e kësaj kulture të pasur e origjinale dhe të prodhimeve të ekonomisë shqiptare kudo në botë.

Asnjë projekt real nuk ka për ritjen e rolit të saj si ambasadore e Shqipërisë për të importuar turistë, investime të huaja dhe zhvillim në vendin tonë. Dhe më së fundi, asnjë projekt nuk ka kjo qeveri për të mundësuar integrimin e atyre shqiptarëve që dëshirojnë të kthehen dhe të jetojnë në atdheun e tyre.

“Zgjidhja” do e ketë Ministrinë e Diasporës një nga ministritë më të rëndësishme që së bashku me ministrinë e jashtme do ti dalin për zot përgjegjësive të braktisura të shtetit shqiptar për të mbrojtur e zgjidhur bashkëatdhetarët tanë në çdo cep të botës. Nuk do kemi më diplomatë që mendojnë vetëm si të rrjepin diasporën. Ata dhe të tjerët si ata në administratën e shtetit shqiptar, do i pastrojmë përfundimisht. Zgjidhja në pushtet nuk do lejojë më që bashkatdhetarëve tanë tju shkelen të drejtat njerëzore elementare, që ata të shfrytëzohen barbarisht dhe të përballen me procese, me dhunë dhe me represionin të paligjshëm nga kushdoqoftë dhe ngado që të vijë.

“Zgjidhja” do ju dalë për zot shqiptarëve. Ajo ka vizjonin, projektet dhe rrugët për ta bërë këtë gjë, do hartojë dhe implementojë një strategji të qartë kombëtare për diasporën. Pas krizës greke shumë bashkatdhetarë u kthyen në Shqipëri. Hapën biznese dhe investuan kursimet e tyre, por në përgjithësi u zhgënjyen, humbën paratë dhe u detyruan që të ikin prapë në emigracion. Në Shqipëri ata nuk gjetën asnjë mbështetje dhe kujdes nga shteti, gjetën vetëm sorrollatje, korrupsion dhe mjedis të papërshtatshëm.

“Zgjidhja” do t’i ftojë dhe tërheqë shqiptarët që dëshirojnë të kthehen dhe të jetojnë, investojnë e punojnë në atdheun e tyre. Ne kemi shumë burime të kualifikuara në botë, me mijëra e mijëra shkencëtarë, ekspertë të lartë në çdo fushë, njerëz të aftë, të ditur e të zotë, teknikë, zanatçinj, profesionistë e punonjës të talentuar, që mund të kthehen dhe të punojnë për vendin e tyre, të vënë në lëvizje ekonominë dhe burimet tona natyrore. Pa përfshirrjen e diasporës në investime, ekonomi, administratë, institucione dhe në votime Shqipëria nuk mund të dalë nga kjo dramë e madhe kombëtare. Në Shqipëri, për fat të keq, situata do vazhdojë të përkeqësohet edhe më shumë në muajt dhe vitet që vijnë. Borxhet publike dhe taksat rriten përditë. Administrata e shtetit është në ditët e saj më të errëta, e paaftë dhe totalisht në shërbim të pushtetit abuziv të partive të vjetra. Qeveria është arrogante dhe e korruptuar. Arbitrariteti dhe shkelja e të drejtave të shtetasve janë të pashembullta. Kudo sundon padrejtësia. Papunësia është shumë e lartë dhe pagesat shumë të ulëta. Pensionet janë qesharake, ndërsa ndihma ekonomike, e turpshme. Njerëzit nuk kanë besim te institucionet. Ata mendojnë në shumicë se ky vend nuk bëhet. Të gjithë duan të ikin. I konsiderojnë qeverinë dhe shtetin si armiq të tyre. Kjo është situata vetëshkatërruese që krijuan partitë e vjetra.

“Zgjidhja” beson se Shqipëria bëhet. Ajo do ta udhëheqë vendin drejt një të ardhmeje të re, me ekonomi konkuruese, me një shtet modern dhe me demokraci normale e liri të garantuara politike, ekonomike dhe njerëzore. “Zgjidhja” është parti e re. Çdo gjë e madhe fillon si e re. Asnjëherë nuk do jetë parti e vogël. “Zgjidhja” është parti e madhe. Ajo ka qëllime të mëdha, kauza të mëdha, sfida dhe armiq të mëdhenj. Qëllime të “Zgjidhje”-s janë qëllimet që ka populli ynë. Armiq të “Zgjidhje”-s janë armiqtë e Shqipërisë. Ne do të zhbllokojmë dhe përfshijmë në ekonomi dhe në qarkullimin e kapitaleve të gjitha pasuritë e patundshme të Shqipërisë. Sot janë të bllokuara 80 për qind e tyre. Kjo është katastrofë e bërë me qëllim.

Jemi deklaruar hapur dhe në mënyrë programore se asnjë ndërtesë informale nuk duhet prishur. Çdo ndërtim i bërë me nxitjen dhe tolerimin e qeverive dhe të zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar për interesa politike, nepotike, klanore apo korruptive duhet të legalizohet. Në prag të zgjedhjeve të vitit të kaluar kjo qeveri lejoi ndërtime të reja informale. “Zgjidhja” nuk do lejojë që të prishen ndërtesa informale pa u legalizuar dhe pa u shpronësuar me çmimet e tregut. Pa e paguar të zotin, qeveria nuk mund ta prekë pronën e tij. Në një kohë që qeveria nuk dha titujt e pronësisë me njëqind veprime dhe mosveprime, të hapura e të fshehura dhe mban peng tokën, së fundmi nxorri vendimin për të bllokuar procesin e regjistrimit të AMTP-ve të tokës bujqësore në brezin 1,5 km nga buza e detit. Ky është një veprim arbitrar i pashembullt. Nuk mjaftojnë mijëra akte korrupsioni e vjedhjeje të tokave në bregdet nga sekserët e qeverive të majta dhe të djathta. Qeveria vendosi gjithashtu t’ua marrë përfundimisht tokën e ish-ndërmarrjeve bujqësore atyre që e kishin në përdorim dhe në proces pronësimi. E bën këtë gjoja në emër të investimeve strategjike. Po kaq arbitrare dhe negative janë vendimet e kësaj qeverie për kompensimin e ish-pronarëve dhe zhbllokimin e pronave që ju takojnë atyre. Në vitin 2015 vendosi që t’i kompensojë trojet me çmimet e kohës kur ishin shpronësuar, ndërkohë që në dhjetor të 2017 vendosi që çdo pronar që ka një vendim për kompensim financiar nga KKKP, të paguhet vetëm me 20 për qind të shumës me pretendimin se pjesa tjetër atyre do t’u kompensohet fizikisht.

Shtojini kësaj pamjeje edhe faktin se shumica e pronave të pronarëve privatë janë regjistruar pjesërisht ose tërësisht në emra të gabuar, në emra që nuk ekzistojnë apo në emër të shtetit. Sa herë ndërrohen qeveritë dhe zyrtarët e hipotekave, regjistrimet duhen nisur nga e para. Aktualisht për pronat në shumë zona e territore të vendit hipotekat nuk bëjnë asnjë veprim. Kudo që të shkosh në zyrat e tyre ta shpien buzën mbrapa. Po nuk vajte 50 herë dhe po nuk pagove zyrtarët, nuk bën dot asgjë. Ndërkohë që shteti mbyll sytë përpara shumë rasteve të pushtimit me forcë të shtëpive e tokave të njerëzve të shpërngulur dhe emigruar. “Zgjidhja” do çlirojë pasuritë e vendit nga bllokimi. Të gjithë njerëzit do të përfitojnë titujt e pronësisë pa gjoba, pa kamata, pa zvarritje dhe pa paguar asnjë zyrtar të shtetit nën dorë. Përpara pak javësh unë dëgjova një burrë të moshuar që i ka mbushur të shtatëdhjetat. Kërkon të regjistrojë shtëpinë e tij në hipotekë. Ka shkuar qysh nga viti 2016 dhe deri më sot 50 herrë në Bashkinë e Himarës dhe nuk ka kryer punë. Së fundmi, dy zyrtarë të bashkisë i kërkuan këtij burri 4 milionë lekë të vjetra bakshish për t’i përcjellë dokumentat në hipotekë. Ai burrë nuk ka asnjë burim të ardhurash veç pak rrënjë ullinj dhe nuk i ka parë kurrë bashkë 4 milionë lekë. “Zgjidhja” do bëjë gjithçka të nevojshme dhe do ta fitojë drejtimin e bashkisë së Himarës. Do të ftojë në dëgjesë të hapur publike të gjithë banorët e zonës të dëshmojnë kur dhe nga kush janë detyruar të paguajnë për të marrë tokat, lejet, dokumentat, shërbimet, të drejtat etj. Këtë do e bëjmë në çdo bashki që do fitojmë në të gjithë Shqipërinë. Gjithë parazitët e paaftë, që nuk shërbejnë popullin dhe nuk dinë të bëjnë asnjë punë, do të zëvendësohen me njerëzit e duhur. Të vërtetat e dhimbshme të qytetarëve të thjeshtë dhe të pambrojtur do të dalin në dritë. Kush ka futur dorën në xhepin e qytetarëve dhe i ka shkelur ata, do të përgjigjet. Dhe e drejta e këtij burri himarjot të moshuar do të shkojë në vend.

“Zgjidhja” është bashkim i lirë dhe vullnetar i qytetarëve që kanë ide të njëjta, punojnë për të zgjedhur njerëzit e duhur në krye dhe që luftojnë për të zbatuar idetë dhe programet e saj politike. Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me partitë e vjetra. Ngado që kam shkuar në Shqipëri u kam thënë hapur të gjithëve se nuk duhet të anëtarësohen te “Zgjidhja” ata që ëndërrojnë të bëjnë korrupsion, as ata që shiten e blihen me lekë, ata që shkëmbejnë votën me një thes miell apo me një vend pune. Ajo është partia e njerëzve të lirë e të ndershëm. Kush afrohet te “Zgjidhja” me idenë se mund të bëjë ndonjë gungë, do të zhgënjehet.

Të dashur bashkëatdhetarë këtu dhe kudo që ndodheni nëpër botë. Ne nuk e shpëtojmë dot vendin pa ndihmën dhe kontributin tuaj, sidomos pa ndihmën dhe angazhimin e diasporës sonë në Greqi dhe në Itali. Këtu është diaspora jonë më e madhe dhe më afër vendit. Shqipëria nuk ka kapacitete të mjaftueshme reaguese. Rinia është e pashpresë dhe me mendjen për të ikur. Inteligjenca e mbetur është meskine dhe e kapur nga sistemi. Institucionet e shtetit, administrata dhe zgjedhjet janë të pushtuara nga militantët e partive të vjetra. Pa përfshirjen e diasporës dhe pa reformuar zgjedhjet asgjë e mirë nuk pritet të ndodhë për Shqipërinë.

“Zgjidhja” kërkon reformë të thellë zgjedhore, pastrim të plotë e përfundimtar të zgjedhjeve, përfshirjen e emigrantëve në votime, dhe që 5 deri në 10 për qind e vendeve në parlament të jenë përfaqësues të diasporës. Kjo elitë politike ka frikë nga shpirti i lirë i bashkatdhetarëve, të cilët e kapën Europën e vërtetë me sakrificat e tyre të papërsëritshme. Diasporën ata nuk e korruptojnë dot, nuk e manipulojnë e mashtrojnë dot, nuk e shantazhojnë dot. Prandaj emigrantët as janë lejuar dhe as nuk do lejohen të marrin pjesë në votime. Partitë e vjetra tremben nga zgjedhjet dhe votat e lira si djalli nga temjani. Partitë e vjetra janë bashkë. Manipulojnë e shtypin. Vjedhin dhe mashtrojnë. Ju nuk kini ç’prisni më prej tyre. Gjithmonë ju kanë mashtruar. Bashkohuni me “Zgjidhje”-n. “Zgjidhja” është rruga e vetme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here