Droga në Spanjë, kush është trafikanti Dritan Gradica? Autoritetet: Identitet i vjedhur

0
907

 

Nga Klodiana Lala
Dritan Gradica është identiteti i një prej dy shqiptarëve te arrestuar në Spanjë si pjesë e grupit prej 5 personash që trafikoi 1 ton kokainë kolumbiane.

Sipas mediave spanjolle, trafikanti shqiptar me identitet të vjedhur, është një person me përgatitje ushtarake. News24 bëri kërkime pranë institucioneve shqiptare për të mësuar më tepër rreth personit të quajtur Dritan Gradica.

Nga të dhënat e gjendjes civile rezulton se me këtë emër ekziston vetëm një person i regjistruar. Ai quhet Dritan Shaqir Gradica, i datëlindjes 5 korrik 1975, lindur në Vlahej, Has dhe banues në Tiranë.

Ky person rezulton të ketë kryer shumë udhëtime jashtë vendit duke zgjedhur aeroportin e Vjenës, si tranzit, për të shkuar më pas në destinacionin final.
Herën e fundit ai ka hyrë në Shqipëri, me 18 janar 2018, ora 16:06 minuta nga pika e kalimit kufitar në Kakavijë. Gradica ka zgjedhur të dalë nga territori i vendit po nga Kakavija, më 26 janar 2018, por çuditërisht, pa mjet transporti. Ai e ka kaluar kufirin më këmbë.

Sipas të dhënave të siguruara, Dritan Gradica i vërtetë, rezulton të jetë djali i ish-gjykatësit të Apelit Ushtarak, Shaqir Gradica, tashmë në pension.
I kontaktuar në linjë telefonike nga News24 e e “BalkanWeb” babai i Dritan Gradicës pranon se gjeneralitetet përkojnë me ato të djalit të tij, por mohon që personi i arrestuar në Spanjë të jetë i biri, për të cilin tha se prej vitesh jeton e punon në Londër.

Ai shpjegon se rreth viteve 2000 të birit i ka humbur pasaporta dhe me gjasë, mund t’i jetë vjedhur identiteti.

Autoritetet shqiptare konfirmojnë për News24 dhe “BalkanWeb”, se identiteti Dritan Gradica është i vjedhur dhe se trafikanti ka një emër tjetër. Ndërkohë babai i tij po merret në pyetje për humbjen e dokumenteve.

Shqiptarët e identifikuar si Dritan Gradica dhe Julian Deblini, u vunë në pranga tri ditë më parë në Madrid, në hollin e një hoteli, vetëm pak pasi autoritetet e policisë sekuestruan një sasi rekord prej 1 ton kokainë dhe një valixhe me 1.55 milionë euro.

Droga, e cila, mendohet të jetë blerë tek “Klan Del Golfo” në Kolumbi, ishte transportuar drejt Madridit me Charter dhe në secilën prej pakove kishte të vulosur siglën CR7, me të cilën identifikohet ylli i futbollit, Cristiano Ronaldo.

Mediat spanjolle shkruajnë se hetimet rreth grupit kriminal nisën në nëntor të vitit të kaluar ndërsa operacioni u ndërmor nga Drejtoria e Seksionit kundër Narkotikëve të Kolumbisë, DEA amerikane në koordinim me Europol.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here