Ministri i Jashtëm polak: BE e ka detyrë ta pranojë Shqipërinë

0
554

Pas pak ditësh, pikërisht më 7 maj, ministri i Jashtëm polak vjen në Shqipëri. Me këtë rast, ai ndan disa opinione për zhvillimet polake dhe sfidat e vendit të tij për në BE. Por, nga ana tjetër, ai shprehet qartë për mbështetjen e Shqipërisë dhe atë që mund të ofrojë Polonia në këtë drejtim. Polonia është një nga vendet më kritikuese me politikën e BE-së dhe këto problematika, ai i sjell edhe në këtë intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”.

Shkëlqesia juaj, Mirësevini në Shqipëri! Si e shihni marrëdhënien midis dy vendeve tona deri më tani?
Pas rënies së komunizmit në Evropë, ne fituam lirinë për të zhvilluar marrëdhëniet tona dypalëshe. Mund të them me shumë siguri se sot marrëdhëniet tona janë shumë të mira. Që nga viti 2009 jemi aleatë të NATO-s. Polonia e vlerëson angazhimin e Shqipërisë në forcimin e krahut lindor dhe luftën kundër terrorizmit. Ne mbetemi një përkrahës i qëndrueshëm i aspiratave evropiane të Shqipërisë. Prandaj, jemi shumë të kënaqur që muajin e kaluar Komisioni Evropian në Raportin e saj të Progresit ka rekomanduar hapjen e negociatave për pranimin me Shqipërinë. Bashkëpunimi ekonomik bilateral po zhvillohet, gjithashtu, mirë. Më pas këtë muaj do të mbahet në Tiranë edhe Forumi i Tretë i Biznesit Polako-Shqiptar.

Polonia duket shumë e lidhur me Ballkanin. Dëshmi për këtë janë ambasadat tuaja në çdo kryeqytet në Ballkan. Si e shihni në mënyrë specifike rolin e Shqipërisë në Ballkan?
Polonia e vlerëson rolin e Shqipërisë si një vend, i cili në sajë të marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet e rajonit, kontribuon dukshëm në stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Do të doja të theksoja se të dy vendet tona jemi aleatë të NATO-s, që nënkupton bashkëpunim më të ngushtë ushtarak. Kam pasur rastin të flas me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati në takimin e fundit të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s të mbajtur më 27 prill në Bruksel. Në takimin tonë, ne vendosëm të mbartnim kapacitetet e NATO-s për mbrojtjen dhe parandalimin, të cilat janë të rëndësishme njësoj për të dyja pjesët e kontinentit: Evropën Qendrore e Lindore dhe Evropën Jugore.

Brukseli ka parashikuar se Ballkani nuk do të bashkohet me Bashkimin Evropian deri në vitin 2025. A e dëmton kjo shpresën e njerëzve që e shohin të ardhmen e tyre të përbashkët në Evropë, sipas konceptit tuaj?
Viti 2025 është i precizuar me të vërtetë në Strategjinë e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor të botuar në shkurt, si një datë dëshmuese për pranimin në BE për më të avancuarit në proces (tani Mali i Zi dhe Serbia) dhe potencialisht edhe vendeve të tjera kandidate. Përcaktimi i një date të caktuar është një shenjë pozitive, sepse e bën perspektivën evropiane të prekshme dhe realiste për opinionin publik. Strategjia parashikon, gjithashtu, fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, e cila duhet të ndodhë prej këtij viti. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë reforma përpara vetes për të realizuar. Përvoja jonë na tregon se në një rast të tillë koha shkon shpejt. Në këtë proces shumë varet nga vendosmëria, megjithatë nuk ka pengesa për Shqipërinë të arrijë me përparësitë e sotme ose t’i kapë ato. Sigurisht që jemi të gatshëm të ofrojmë përvojën tonë në prezantimin e reformave të nevojshme të administratës publike të kërkuara nga Komisioni.

Cilat janë realisht pikëpamjet e Polonisë në lidhje me zgjerimin e Ballkanit në BE?
Polonia e mbështet fuqimisht politikën e derës së hapur të BE-së. Zgjerimi është një nga politikat më të fuqishme dhe më të suksesshme të BE-së. Ai kontribuon në sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë kontinentit. Ai inkurajon po ashtu stabilitetin politik afatgjatë, zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në vendet që aspirojnë të bashkohen me BE. Më e rëndësishmja, për mendimin tonë, është fakti që shqiptarët dhe qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor kanë plotësisht të drejtë të zgjedhin rrugën e tyre të zhvillimit. Ata janë evropianë dhe BE-ja ka një detyrim për t’i pranuar këto vende, sigurisht nëse i plotësojnë kriteret e detyrueshme. Zgjerimi ka të bëjë me takime politike të nivelit të lartë, vendosjen e kritereve dhe hapjen e kapitujve. Por, para së gjithash, ka të bëjë edhe me ndryshimin e jetës së njerëzve për pritshmëri më të mira nga reformat, modernizimin, qeverisjen e mirë, afrimin e ekonomive dhe njerëzve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here