Friday, April 19, 2024
Home Aktualitet Asistencë teknike dhe logjistike nga Austria për Ministrinë e Brendshme

Asistencë teknike dhe logjistike nga Austria për Ministrinë e Brendshme

0
550

Ministria e Brendshme e Austrisë do të ofrojë asistencë teknike dhe logjistike për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.

Një fakt i tillë iu bë me dije Ministrit tonë të Brendshëm nga homologu i tij austriak Herbert Kickl gjatë vizitës së xhafaj në Austri.

Gjithashtu u dakordësua bashkëpunimi i ndërsjellë për projekte konkrete. Në javët në vijim do të ngrihen grupe pune në nivel ekspertësh për organizimin e eventeve të rëndësishme, për shkak të Presidencës së BE-së së Austrisë në 6 mujorin në vijim dhe Presidencës së Shqipërisë të Konventës për Bashkëpunimin Policor për Evropën Juglindore.

Takimi i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në vjeshtën e këtij viti, është rënë dakord me palën austriake, të mbahet në Tiranë.

Austria ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të avancuar projektin e propozuar nga ministri Xhafaj në takimin e Triestes vitin e kaluar, për ngritjen e Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit Policor.

Në takimin që zgjati rreth 90 minuta, u shprehën vlerësime për marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe u diskutua për një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi në vijim.

Ministrat evidentuan se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera, ndërsa u nënvizua mbështetja e plotë e Austrisë për përpjekjet e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE.

Në fjalën e tij ministri Xhafaj bëri një paraqitje konkrete të prioriteteve të MB-së, në fushën e rendit dhe sigurisë dhe njëherësh, të arritjeve të derisotme veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ministri Kickl përgëzoi Shqipërinë për arritjet dhe garantoi se Austria do të jetë gjithmonë një ‘avokate’ e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.

Në përfundim të takimit, Xhafaj ftoi homologun austriak për një vizitë në Shqipëri, e cila u pranua me kënaqësi nga ministri Kickl.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here