Friday, April 12, 2024
Home Politikë Bushati rendit tre arsye pse shqiptarët janë pro Evropës

Bushati rendit tre arsye pse shqiptarët janë pro Evropës

0
467

Ministri  për Integrimin dhe Evropën Ditmir Bushati, shpreh besimin se në qershor do të miratohet hapja e negociatave të integrimit me Bashkimin Evropian.

Në takimin “Së bashku drejt Bashkimit Evropian: Njohja e përvojës së shkuar dhe krijimi i partneriteteve për të ardhmen”, Bushati renditi tre arsye pse shqiptarët janë pro Evropës.

Bushati: Së pari, për ne projekti evropian është në thelb një projekt bashkimi brenda vetes. Siç thotë Ismail Kadare “Është hera e parë në historinë e Shqipërisë që, një shekull pas çështjes së pavarësisë, një tjetër synim bashkon si me magji politikën dhe shoqërinë, opinionin publik dhe besimet fetare, elitën dhe njerëzit e thjeshtë”.

Së dyti, projekti evropian është projekti, të cilin shumica dërrmuese e shqiptarëve e shohin si projektin e paqes, sigurisë, mirëqenies. E mbi të gjitha e shohin si projektin e një qeverisje demokratike për ta. Një projekt që do ta bëjë këtë vend jo vetëm më të sigurt e më të zhvilluar, por shpresojmë edhe dhe më të drejtë.

Së treti, projekti evropian përkon jo vetëm me modernizimin dhe transformimin e shoqërisë sonë por edhe me konsolidimin e identitetit tonë evropian si komb. Thënë ndryshe, jo në kuptimin e ngushtë konsumator e të lidhur veç me mrekullitë e tregut, por mbi të gjitha si një projekt i brendësimit të vlerave tona evropiane.

Bushati nënvizon se të rinjtë janë ata që do të përfitojnë.

Bushati: Të rinjtë e këtij vendi. Ata janë oponentët e vërtetë të punës sonë dhe testi final i reformave, arritjeve dhe dështimeve tona. Ata janë në fakt përfituesit më të mëdhenj të këtij procesi të integrimit evropian, por njëkohësisht dhe humbësit më të mëdhenj nga sherrnajat politike të brendshme. Prandaj, përfshirja e tyre në këtë proces duhet të përbëjë boshtin e projektit tonë evropian. Të gjithë ne, pavarësisht statusit politik e shoqëror, nuk duhet të krahasojmë më atë çfarë jemi me atë çfarë ishim.

Nuk duhet të krahasojmë vitet ‘80 me vitet ‘90, apo vitet 2000 me vitet 2018. Ky moment vendimtar për Shqipërinë na imponon të krahasohemi me brezin e 20-vjeçarëve të sotëm, të cilët ne i kuptojmë ende shumë pak. Ne duhet të krahasojmë atë çfarë kemi arritur me atë që do të duhet të arrinim. Duke menduar e vepruar si evropianë të bashkuar.

Më 17 prill, Komisioni Evropian miratoi rekomandimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë pa asnjë kusht.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here