Akuzat për të cilat po hetohet Tahiri, lëvizjet në Prokurori para kërkesës për “arrest shtëpie”

0
655

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për ish-ministrin Saimir Tahiri, i cili është në hetim për “Korrupsion pasiv” dhe “Trafikim narkotikësh, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Mund të thuhet se ai ka qenë ndër ministrat më të sulmuar nga opozita për qeverinë “Rama I”. Mirëpo, gjithçka u kthye kundër tij më 17 tetor 2017, kur opozita publikoi të plotë dosjen e Prokurorisë së Katanias për grupin e Moisi Habilajt, të arrestuar për trafik ndërkombëtar droge.

Në dosjen voluminoze, trafikantët ishin përgjuar, teksa përmendin Tahirin si person me imunitet dhe i afërt me ta.

Sakaq, pak ditë përpara se të kërkohej nga Gjykata e Krimeve të Rënda arrestimi i Tahirit, Kryeprokurorja Arta Marku vendosi të shkarkojë nga posti drejtues i Krimeve të Rënda, prokurorin Besim Hajdarmataj.

Ky i fundit është edhe prokurori që ka në dorë dosjen Tahiri. Shumë u aludua për shkarkimin e tij pa motivacion zyrtar, por Hajdarmataj, në një prononcim për “Panoramën”, tha se dosja “Tahiri” do të hetohej deri në fund dhe se ajo vijonte të ishte e tija.

Në krye të Krimeve të Rënda u komandua Donika Prela, që vjen nga Prokuroria e Durrësit.

Edhe kjo prokurore ka pasur në dorë dosje të rëndësishme, si ajo e Adriatik Llallës që është transferuar te Krimet e Rënda dhe çështja e ekstradimit të Nezar Seitit, që shihej si dëshmitar kyç në dosjen “Tahiri”.

Duket se këto lëvizje nuk e kanë zbehur aspak hetimin për dosjen Tahiri nga ana e prokurorëve Hajdarmataj, Imeraj dhe Osmani, që iu drejtuan Gjykatës me arrestimin e Tahirit. Megjithatë, Gjykata vendosi “arrest shtëpie”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here