Sejko në takimin e Klubit të Guvernatorëve në Bodrum të Turqisë

0
724

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në takimin e 39-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit.

Gjatë takimit i cili u mbajt në Bodrum të Turqisë u diskutua mbi perspektivat ekonomike globale, rritjen e qëndrueshme globale, sfidat dhe mundësitë e bankave qendrore lidhur me monedhat dixhitale.

Ky takim shërbeu si një platformë e shkëlqyer diskutimi ku përfaqësuesit e bankave qendrore patën mundësi të shkëmbenin idetë dhe eksperiencat e tyre lidhur me këto çështje.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili ishte folësi kryesor i panelit me temë ”Rritja e qëndrueshme globale”, mbajti një prezantim për të pranishmit, duke vlerësuar fillimisht rëndësinë e pjesëmarrjes në aktivitete të tilla si një mundësi për të ndarë pikëpamjet e përvojat, si dhe për të vlerësuar përparimin e kryer dhe për të reflektuar mbi prioritetet në të ardhmen.

Guvernatori u shpreh se pas tejkalimit të krizës financiare, ekonomia globale po fiton ritëm. Ai shtoi se fokusi i vendeve ka qenë trajtimi i pasojave të krizës dhe nxitja e një rimëkëmbjeje sa më të shpejtë.

Sejko solli në vëmendje të pjesëmarrësve, disa faktorë rreziku që mund të ndikojnë në rritjen globale, të tillë si: divergjenca rreth tregtisë së lirë dhe globale; reformat strukturore; turbulencat e tregjeve financiare dhe stabiliteti gjeopolitik.

Lidhur me divergjencën rreth tregtisë së lirë dhe globale, ai theksoi se tregjet e hapura lejojnë një alokim më efikas të resurseve dhe ofrojnë mundësi më të mira punësimi.

“Kjo është vendimtare për Shqipërinë dhe rajonin, i cili përbëhet nga një numër të madh ekonomish të vogla dhe të hapura”.

Duke marrë si shembull ekonomitë e zhvilluara, për të cilat fokusi ka qenë në reformat strukturore për rregullimin e sistemit financiar dhe në qëndrueshmërinë e financave publike, ai shtoi se edhe vendet në zhvillim duhet të punojnë në të njëjtin drejtim.

Guvernatori Sejko, gjatë fjalës së tij, nënvizoi gjithashtu integrimin financiar global.

Lidhur me zbutjen e turbulencave të tregut financiar, një komunikim i duhur dhe shkëmbimi i informacionit do të jetë thelbësor.

“Nga perspektiva e një vendi në zhvillim, siç është Shqipëria, më shumë mbetet për t’u bërë për të ulur nivelin e kredive me probleme, për të përmirësuar mbikëqyrjen e segmenteve jobankare të sistemit financiar dhe për të rritur elasticitetin e institucioneve financiare dhe tregjeve financiare”.

Në përfundim, Guvernatori Sejko nënvizoi se korrigjimi i problemeve të së kaluarës dhe vendosja e ekonomisë globale në rrugën e rritjes së qëndrueshme është një përgjegjësi e përbashkët.

Të gjithë ndajmë përfitimet e rritjes globale dhe së bashku duhet të ndajmë përgjegjësinë për të siguruar qëndrueshmërinë e saj.

Gjatë takimit të 39-të të Klubit, u zhvillua gjithashtu ceremonia e pranimit të anëtares më të re, Bankës Kombëtare të Hungarisë, në Klubin e Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here