“Me shqiptarët merrem vesh vetë”, Rama: Do veproja njësoj për Elvis Rroshin dhe Saimir Tahirin

0
579

TIRANË- Kryeministri Edi Rama thotë se do vepronte njësoj nëse do kthehej pas për ish-kreun e bashkisë së Kavajës Elvis Rroshin apo për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, megjithëse të dy u shkarkuan nga detyrat e tyre si të zgjedhur të Partisë Socialiste.

Në daljen para mediave pas kthimit nga Samiti i Sofjes, i pyetur se pse duhet t’i besojnë shqiptarët në rastin “Xhafaj” kur edhe për Rroshin dhe Tahirin dha garanci, Rama tha se me ta merret vesh vetë. Ai theksoi se në të dyja rastet i është referuar atyre që dinte.

“Lërja shqiptarëve se me shqiptarët merrem veshë vetë. Unë kam qëndruar strikt edhe në rastet që ju përmendi dhe po të kthehesha pas do bëja të njëjtën gjë. U jam referuar atyre që kam ditur në rastin e parë dhe në rastin e dytë nuk do i hiqja asnjë presje, për Saimir Tahirin. Në rastin konkret përgjigjen që më duhet për të vendosur nëse është cenuar figura e ministrit të brendshëm e kam marrë. Ministri i Brendshëm do vazhdojë të jetë në krye të detyrës që e bën me përgjegjshmëri dhe rezultate domethënëse. Një tjetër arsye se përse këta janë të shqetësuar për Ministrin e Brendshëm”, deklaroi kryeministri.

Duke vijuar tek akuzat për opozitën se po bllokon integrimin, Rama tha se ‘ky është sabotim i mirëfilltë, sigurisht jo vendimtar por balta bën punën e saj në mjegullën ku gjendet sot BE në raport me vetveten, lërë pastaj me Ballkanin apo me ne’.

“Balta bën punën e vet tek njerëzit e zakonshëm që ndjekin jetën politike. Unë nuk mendoj që do kthehemi mbrapa, do vazhdojmë përpara në kuptimin e procesit të integrimit. Kemi hedhur një hap që është pa kthim mbrapa. Kam shumë besim që edhe në qershor ne nuk do të zmbrapsemi forcërisht me një vendim që do të jetë pa dritë. Si do të jetë dhe në çfarë mënyre do na jepet mënyra për të vazhduar para, është diçka për tu materializuar në fund të qershorit. Në fund të ditës, njerëz janë dhe ata. Njerëz që e çmojnë progresin në Shqipëri. Njerëz që kanë durimin të më dëgjojnë mua si përfaqësues i këtij vendi dhe të përballojnë edhe këmbënguljen time që ndoshta është për ta pak e tepërt. Unë vazhdoj të këmbëngul sepse ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër, përveçse të këmbëngulim”, u shpreh Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here