Protesta e opozitës, ja akset rrugore ku do të ndalohet qarkullimi

0
565

Një ditë para protestës së të shtunës, e cila do të nisë në orën11:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, policia e shtetit njofton se akset e brendshme rrugore të Tiranë ku do të bllokohet qarkullimi i  automjeteve.

Akset e rrugës që do bllokohen

Kështu, duke filluar nga ora 00:00 e datës 26 maj, deri në përfundimin e tubimit nuk do lejohet qarkullimi i mjeteve në rrugët:

– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i rrugës “Bajram Curri” deri tek kryqezimi i rrugës “Abdyl Frashëri” dhe anasjelltas;

– Rruga “Ismail Qemali” nga degëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II” deri tek Bulevardi “Deshmorët e Kombit” do të jetë e bllokuar;

– Rruga ” Papa Gjon Pali II” nga degëzimi me Bulevardin  “Bajram Curri”, deri tek degëzimi i rrugës “Themistokli Germenji” dhe anasjelltas, do të jetë e bllokuar dhe nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në të dy anët e rrugës;

Duke filluar nga ora 07:00 e datës 26 maj deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të të gjitha kategorive nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të rrugës  “Abdi Toptani”.

Devijimet prekin transportin publik

Devijimet do të prekin edhe linjat e transportit publik, ku linja e “Tiranës së Re” do të kthehet tek sheshi “Ëillson”, linja e Kamzës do të kthehet tek sheshi para ish-Kafe “Florës”, linja e Saukut do të kthehet tek rruga “28 Nëntori” pranë Sahatit.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e operatorëve të transportit publik qytetas, që ditën e shtunë deri në përfundim të protestës, të mos përdoren mjetet e transportit artikular, për shkak të devijimeve dhe bllokimeve që do të bëhen për arsye sigurie.

Ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë

Të shtunën, nga ora 07:00 deri në përfundim të protestës brenda Unazës së Madhe dhe rrugëve të tjera të brendshme, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë të të gjitha kategorive.

Mjetet e transportit të pasagjerëve që do të vijnë nga qytetet e tjera nuk do të lejohen në brendësi të Tiranës, përveç vendeve të miratuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që janë:

– Pallati i sportit “Asllan Rusi”, në rrugën “Dritan Hoxha”;

– Pallati me shigjeta në rrugën “Konferenca e Pezës”;

– Rreth-rrotullimi i Fakultetit Ekonomik në rrugën e “Elbasanit”;

– Ura e Brrylit në “Bulevardin Zhan D’Ark”.

Ja ku do vendosen mjetet që vinë nga rrethet

Mjetet e transportit që vijnë nga rrethet pasi të zbresin qytetarët në vendet e caktuara sipas Planit të Masave, do të kthehen dhe vendosen:

– Mjetet që vijnë nga rreth-rrotullimi i “Fakultetit Ekonomik” do të vendosen në rrugën “Shahin Toci” pranë Terminalit të Jug-Lindjes;

– Mjetet që vijnë nga sheshi “Shqiponja” do të vendosen në rrugën “Teodor Keko”;

– Mjetet që vijnë nga Pallati me shigjeta në rrugën “Teodor Keko”;

– Mjetet që vijnë nga pjesa lindore e qytetit, do të sistemohen përballë Maternitetit të Ri.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin për largimin e mjeteve të parkuara në rrugët e sipërpërmendura, në të kundërt do të spostohen me mjete ngritëse.

Porosi edhe për qytetarët

Gjithashtu luten qytetarët që të shmangin përdorimin e panevojshëm të automjeteve ditën e nesërme, sidomos në segmentet që lidhin qendrën e qytetit me Bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, për shkak të devijimeve dhe kufizimeve, deri në përfundim të tubimit.

Apeli për protestuesit: Nuk do tolerohet dhuna

Policia thotë se plani i masave për sigurinë e tubimit u hartua me mbështetjen e misioneve ndërkombëtare, që asistojnë Policinë e Shtetit.

Gjithashtu, veprimtaria e Policisë së Shtetit, në ditën e tubimit, do të asistohet dhe monitorohet edhe nga ekspertë të huaj, të atashuar pranë Ministrisë së Brendshme.

Policia e Shtetit, u bën thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të ushtrojnë të drejtat e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, duke garantuar  se ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit, sipas përcaktimeve ligjore.

Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit thotë se nuk do të tolerohen sjellje apo veprime që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here