Të gjithë meshtarët, që me bindje të plotë dhe me një dëshirë të madhe për të shkuar drejt Jeruzalemit qiellor, ishin një burim i pashtershëm kulture. Disa ishin muzikantë, disa shkrimtarë, disa përkthyes e disa dramaturgë. Dhe një pjesë e tyre, me artin që zotëronin dhe me talentin që kishin, për ta manifestuar atë, arritën që të profetizonin fundin e jetës së tyre apo edhe të miqve.
Dom Lazër Shantoja, si i pari martir i vrarë (i dyti për nga lista pas atë Anton Harapit i cili u vra si anëtar i Këshillit të Regjencës) qe ndër të tjera edhe përkthyes. Ishte përkthyesi i parë i Gëtes, i cili i dhuroi popullsisë së prapambetur të kohës gjithë dritën që Fausti kërkonte. Por me personazhin e Faustit ç’bëri tjetër? Parashikoi, sigurisht pa vetëdije, edhe dëshirën e fundit të Ipeshkvit Prennushi. I quajtur ndryshe “famullitari i pianofortit” Dom Lazër Shantoja, sëbashku me Dom Ndre Zadejën përbënin bazën e muzikologjisë kishtare shqiptare.
Muzika e Dom Ndre Zadejës, duke u bashkuar me gjithë preludin e talenteve të tjerë që ai kishte, e bëri atë si përmbledhësin e çdo forme arti jopamor që ekziston. Ai ishte poet, eseist, dramaturg e përkthyes. Mark Çuni, nxënës i dom Ndre Zadejës, nuk e kishte dom Ndreun vetëm si profesor, por edhe si burim frymëzimi. Kështu që dy nga poezitë e tij më të shquara, njëra prej të cilave do të recitohet pas pak, u shkruan në nder të dom Ndre Zadejës. E ky i fundit është etiketuar edhe “poeti amëlcis”
Ndër Ipeshkëvit që Shqipëria i dhuroi aradhës së pafund të shenjtërve qiellorë, dy prej tyre kishin rritur pafund rëndësinë e penës shqiptare. I pari është Atë Vinçens Prennushi, i cili shkroi vargje pafund. Duke filluar me Gjeth e Lule, që përbën përmbledhjen e gjithë lirikës së tij, duke vazhduar me “E Panjohura” që përbën disa nga përkthimet e tij, e deri te “Prej robniet në liri” që, si dramë e shkruar në vargje, tregon gëzimin me të cilin dikush arrin të thyejë zinxhirët e robnisë duke kaluar në liri.
Ndërsa i dyti është Imzot Jul Bonati, i cili i tregoi italianëve madhështinë e Lahutës sëMalcis, duke bërë që Atë Gjergj Fishta të njihej edhe nga ato. Pas përkthimit të kësaj vepre në italisht, Atë Gjergj Fishta merr edhe titullin si “Anëtar nderi i akademisë së shkencave të Italisë”.
Sigurisht, nuk mund të lë pa përmendur edhe fretërit minorë, të cilët me një punë të palodhur, qysh prej shekullit 13 kur për herë të parë u vendosën në trojet, atëherë arbërore e sot shqiptare, punuan pareshtur për vendin në të cilin ishin caktuar. Më kujtohet një poezi e Atë Gjergj Fishtës, që përshkruan krejt hollësisht jetën e këtyre misionarëve, që nga Apeninet, duke kaluar përmes detit, erdhën me zhguna e me sandale për të ndihmuar me dëshirë dhe dashuri shqiptarët.
Pjesë e kësaj historie të lavdishme që urdhri i fretërve minorë krijoi, janë edhe martirët që i përkisnin këtij urdhri. Më kryesori ndër to është Atë Bernardin Palaj, i cili sipas Atë Zef Pllumit është edhe i fundit arkivist i Kuvendit Françeskan të G’juhadolit. Si mbledhës i palodhur i folklorit, i cili së bashku me Atë Donat Kurtin botuan gjithë çka mblodhën në “Visaret e Kombit”, Atë Palaj arriti të siguronte shkrimin e emrit të vet me shkronja të arta në çdo studim të mëvonshëm në lidhje me folklorin tonë. Por ai nuk ishte vetëm folklorist. Ishte edhe mbledhës i mitologjisë sonë, të cilën e botoi në Hylli i Dritës ku ndër to vlen të veçojmë “Syni i keq”, “Shpirti i keq”, “Ora e shpis”, “Bestytni Ilire”, “Orët” e “Zanat”. Kështu që mund të themi me plot gojë se falë Atë Palajt kemi me çfarë të mburremi në mitologjinë ballkanike.
E për në fund, sigurisht jo nga rëndësia, kam lënë Atë Gjon Shllakun, i cili me filozofinë e tij, e cila kuptohej thjeshtë, nxori radhën e fundit të meshtarëve nga kolegji “Ilirikum”, duke lënë kështu një emër i cili u ruajt për shumë kohë në kujtesën e meshtarëve ndër burgje, të cilët fluturonin ndër mendimet filozofike që ai kishte shprehur.