Tatimet paralajmërojnë bizneset turistike: Kujdes me punonjësit, paga minimale 24 mijë lekë! Ligji s’parashikon ‘provë’

0
666

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në kuadër të planit të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, u tërheq vëmendjen bizneseve që ushtrojnë aktivitetin në këtë sektor, për respektimin e detyrimit për të regjistruar të gjithë punonjësit e angazhuar me kohë të plotë apo të pjesshme.

Të gjithë tatimpaguesit, të cilët do të punësojnë punonjës të rinj duhet të deklarojnë ata të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës në zbatim të nenit 119 të Ligjit nr.9920,datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. 

Paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është 24,000 lekë/muaj.

Theksojmë se, në asnjë rast nuk parashikohet në legjislacionin në fuqi marrja e punonjësve në periudhë prove, që do të thotë se ju duhet të deklaroni të gjithë personat që angazhohen për te ofruar punën e tyre qoftë edhe ne kohë prove. 

Gjithashtu, detyrimi për përfshirjen në skemën e sigurimeve shoqërore është edhe për studentët, të cilët punësohen në subjektet që ushtrojnë aktivitet ekonomik në sektorin e turizmit” njoftojnë Tatimet.

Po ashtu, Tatimet këshillojnë bizneset që të bëjnë kujdes pasi “studentët trajtohen njësoj si të gjithë të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 87 orë në muaj ose më shumë se 87 orë pune në muaj”

Nëse, nga verifikimi dhe kontrolli që do të ushtrohet nga Administrata Tatimore do të  rezultojë se tatimpaguesi nuk ka deklaruar çdo të punësuar, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, atëherë ai do t’i nënshtrohet sanksioneve përkatëse. Nëse është tatimpagues i biznesit të madh, gjoba llogaritet në 200,000 (dyqind mijë) lekë dhe nëse është tatimpagues i biznesit të vogël, atëherë penaliteti është 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Në fund të deklaratës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sjell në vëmendje se  në fokus të punës së saj nuk është ndëshkimi dhe zbatimi i penaliteteve, por ndërgjegjësimi i tatimpaguesve për të zbatur me korrektësi detyrimet që lindin nga zbatimi i legjislacionit në fuqi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here